Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi sot në Kuvend se miratimi i programit të statistikave zyrtare për vitin 2022-2026 do të garantojë më tepër besueshmëri te publiku.

Duke folur në Kuvend mbi këtë program, Ibrahimaj tha se ai është ndërtuar nga INSTAT në bashkëpunim me gjithë sistemin kombëtar statistikor.

Sipas saj, “programi ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të statistikave zyrtare kombëtare në nivelin e programeve respektive evropiane dhe vjen si produkt i ekspertizës 30-vjeçare nga INSTAT”.

“Sfidat e programit janë të shumta dhe përfshihen 50 indikatorë të rinj. Programi synon përmirësimin e metodologjisë për 70 aktivitete statistikore dhe rritjen e transmetimit të të dhëna në Eurostat për 110 indikatorë”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa ftoi deputetët që ta votojnë këtë program, Ministrja theksoi se “statistikat zyrtare i shërbejnë publikut dhe qeverisë për mirëqeverisjen dhe zhvillimin”.

“Programi siguron dhënien e saktë të shifrave zyrtare duke evituar të dhënat e dyfishta që krijojnë paqartësi në publik dhe sjellin kosto mbi efektivitetin e masave. Me këtë dokument të ri kalohet në një standard të ri të sistemit kombëtar të statistikave duke garantuar besueshmëri te publiku”, tha ajo.