Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se para ligjit janë të gjithë të barabartë, ndërsa shtoi se Reforma në Drejtësi po funksionon.

I pyetur mbi akuzat e ngritura nga SPAK ndaj deputetit të dorëhequr Alqi Bllako, Rama tha se “përgjegjësitë janë individuale dhe qëndrimet e mia nuk janë të lidhura me persona që kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në fund, por janë të lidhura me një proces që duhet ta shtyjmë deri në fund, Reformën në Drejtësi”.

“Para ligjit nuk ka deputetë, ministra, politikanë të fortë. Nuk ka të privilegjuar. Janë të gjithë të barabartë. Ndërkohë që gjithçka po ndodh nuk është asnjë gjë tjetër, veçse përgjigjja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej reformë në drejtësi dhe se do të vinte dita që edhe njerëz me imunitet dhe njerëz me pushtet të vihen para ligjit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se kjo mazhorancë e ka udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe do të vazhdojë ta mbështesë jo për të kapur drejtësinë, por për të krijuar kushtet që me kohë, mund, durim, ngritjet dhe uljet e veta, një proces reformimi i drejtësisë të bëjë të mundur që të ketë një Shqipëri të drejtë për të gjithë në gjeneratën tjetër”.

“Në nivelin personal e njerëzor patjetër që jam shumë i keqardhur, por në nivelin e detyrës  i shoh këto që ndodhin si rezultat i asaj që kemi bërë”, tha Rama.

Rama tha se “nuk ka përgjegjësi kolektive në sistemin demokratik”.

“Për shkak të Reformës në Drejtësi të ndërmarrë nga kjo shumicë dhe kjo parti këtu, që i bën nder këtij vendi, kemi arritur në pikën ku nuk ka mburoja politike në rrugën e drejtësisë. Ndërsa në pikën ku njerëzit të shpallen të fajshëm në mikrofona e grupe mediatike mund të shkojë kushdo, por jo unë. Janë të ndara gjërat. Unë nuk jam as prokuror, as gjykatës, që e shoh që e bëjnë shumë këtu”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “sot është një Shqipëri tjetër dhe do të jetë përditë e më shumë e tillë”.

“Nuk duhet të çuditet askush se cilido qoftë, nga shumica apo pakica që do të kërkohet nga drejtësia do të shkoj para drejtësisë. Unë nuk i komentoj vendimet e SPAK-ut, gjykatave për një arsye themelore. Për mua qëndron misioni se kjo rrugë duhet të vazhdojë para e papenguar nga kjo forcë garante. Mund të ketë kthime prapa, momente jo fatlume për vetë drejtësinë, vendime të diskutueshme, por të gjitha këto janë të pranueshme në këtë proces rizgjimi të drejtësisë”, tha Rama.

I pyetur mbi akuzat e ngritura mbi impiantet e përpunimit të mbetjeve, Rama tha se “ne i kemi ndërtuar dhe jam shumë krenar për ato vepra”.

“Veprat janë aty, është një punë aq e rëndësishme sa që sot qytetarët shqiptarë marrin frymë lirisht. Nëse në këtë proces apo çdo proces tjetër, individë të caktuar përveçse bëjnë punën e shtetit, bëjnë edhe punën e xhepit të tyre, kjo nuk ka lidhje as me programin e  qeverisë, as me rezultatin, por me një cenim të ligjit. Është një përgjegjësi që, në rast se drejtësia e nxjerr në pah, duhet të jemi të gjithë shumë të kënaqur se edhe vepra bëhet edhe mësimet jepen, se kush përdor detyrën për përfitim personal do të përfundojnë aty ku deri dje nuk ia priste njeriu mendja se do të përfundonte një zyrtar i lartë”, shtoi Rama.

Kryeministri shtoi se këto janë përgjegjësi individuale, ndërsa ajo që po ndodh sot në Shqipëri është një vlerë e re që po krijohet nga PS, nga kjo shumicë qeverisëse.

“Kjo nuk është shumica që ka bërë Reformën në Drejtësi për të goditur ata që ka kundër, por kjo shumicë qeverisëse thotë se duam një Shqipëri ku drejtësia të mos shohë as majtas, as djathtas, por të shohë drejt. Kush hedh një hap drejt dhe kush hedh një hap shtrembër, që po ra në rrjetën e drejtësisë do të përgjigjet”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se kjo Reformë në Drejtësi dhe ky proces do të shkojë para.

“Jam i bindur se do të ketë ngritje e ulje në kuptimin e cilësisë së këtij procesi, gabime me njerëz që janë liruar e nuk duhet të liroheshin apo e kundërta do të ketë përsëri, por shqiptarëve u them shikoni drejt, mos u trishtoni ku shikoni rënie të drejtësisë, merrni forcë dhe krijoni besim kur shikoni që drejtësia guxon dhe askush nuk ia ndal gjërat duke i thënë: ‘ky preket e ky jo”, tha Rama.