ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se Shqipëria çel dyert për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë prej vitesh për të krijuar akoma më shumë rrathë bashkëpunimi të të rinjve por jo vetëm, të bizneseve dhe plot institucioneve në Shqipëri me vendet tona partnere.
Të parët që hapin këtë udhëtim janë francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedi, Egjipt, Kinë, Gjermani, Japoni, Austri, Turqi, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përmbyllur me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.
“Është një moment celebrimi, është një paradë jo vetëm flamujsh e kulturash por ky program synon pikërisht që të sjellë këtë mozaikun e larmishëm të të gjitha vendeve duke u fokusuar më tepër në lidhjen e ngushtë që duhet të kemi tashmë jo vetëm në relata diplomatike midis dy shteteve, por për të përforcuar akoma dhe më tepër relatat, sidomos të të rinjve, të cilët aksesojnë sot nga ana teknologjike në mënyrë shumë të thjesht kulturat e botëve të tjera, por donim t’i bënim ato më të prekshme këtu në vendin tone”, deklaroi Margariti.
Sipas saj, kjo nismë është mirëpritur nga të gjithë vendet partnere.
“Është në vazhdën e disa nismave në fakt të qeverisë, siç është ajo e ndërkombëtarizimit të universiteteve, gjithmonë për të krijuar një akses të vendeve të ndryshme, në këtë rast në universitetet dhe me këtë iniciativë ne krijojmë të tjera bashkëpunime që nisin me kulturën. Ministra e Kulturës është po themi pika kryesore, linja e parë e komunikimit por kemi pasur komunikime të cilat vazhdojnë dhe me pjesën e biznesit, me shfaqjen edhe të kulinarisë, patjetër do të përfshijmë këtu edhe shkollat profesionale, ashtu siç do të kemi dhe aktivitete që lidhen me sportin dhe duam patjetër të kemi sa më shumë aktivitete masive, në sheshe, në rrugë, në vende të hapura, duke e marrë pak këtë iniciativë edhe në vazhdën e atyre aktiviteteve që zhvilluam gjatë pandemisë”, deklaroi ministrja.
Margariti theksoi se gjatë pandemisë e pamë se sa e rëndësishme ishte të kishim kontaktin fizik, se sa e rëndësishme ishte të riktheheshim në aktivitete artistike dhe e vazhduam këtë traditë që e perfeksionuam gjatë kohës, pas një fillimi të vështirë të mbyllur totalisht dixhital.
“Janë 17 shtete, javë janë më tepër sepse kemi dhe Bashkimin Europian në muajin maj sipas traditës, ashtu siç ata kanë festuar gjithmonë në javët e para të majit me aktivitete të ndryshme në gjithë Shqipërinë dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim siç kemi bërë edhe më parë. Kjo traditë tashmë shtrihet edhe në kontinente të tjera. Do të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kemi Japoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinën, Izraelin, Spanjën, Francën siç tha Kryeministri që fillojmë këtë javë me një celebrim të madh në sheshin Skënderbej”, tha ajo.
Sipas saj, nisma synon njohjen e kulturave nëpërmjet aspekteve të ndryshme, jo vetëm muzikës.
“Jemi fokusuar në shumë grup mosha, por mbi të gjitha kemi dashur që të rinjtë e moshave nga 18 deri në 35 vjeç të kenë një larmishmëri të madhe aktivitetesh dhe jemi adresuar gjithashtu në njohjen e kulturave nëpërmjet aspekteve të ndryshme, jo vetëm muzikë, jo vetëm opera, jo vetëm balet, jo vetëm ato sektorë që janë tashmë të prekshëm për kulturën por ashtu dhe kulinari, ashtu dhe sport e do të kemi në të gjitha javët mbrëmje të dedikuara, pothuajse çdo natë do të kemi filma, për momentin vetëm në kinema Millenium, do të vazhdojmë më pas dhe me kinema Agimi, kjo sepse kemi parë dhe një mundësi tjetër të artë nëpërmjet kësaj nisme që të lidhim më shumë rrathë bashkëpunimi me producentë, regjisorë e aktorë të ndrysëm të botës për ta lidhur me nisma të tjera të ministrisë së kulturës, siç është ajo e ndryshimeve që po bëjmë tashmë, në ligjin e kinematografisë, për të hapur rrugën e prodhimit kinematografik me incentiva më pas për të mbështetur këto bashkëprodhime”, u shpreh Margariti.
Sipas saj, kjo nismë synohet të kthehet në një traditë njohjesh që thyen kufijtë dixhital.
“Në një traditë bashkëpunimi që thyen klishetë e aktiviteteve të ndryshme të konferenca apo takimeve diplomatike dhe pjesëmarrja e të rinjve patjetër që do të jetë e rëndësishme e do të jenë shumë ministri të përfshira. Ashtu siç janë përfshirë Ministria e Punëve të Jashtme, ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministrja Muzhaqi dhe të tjerë ministra sepse kjo nismë ashtu siç thashë bën bashkë shumë sektorë të këtyre shteteve”, informoi ministrja.
Pjesëmarrja e shteteve është ndarë në dy grupe. Në korrik – gusht nuk do të ketë aktivitete për shkak sepse edhe trupat diplomatike e kishin të pamundur të mund të organizonin me prezencën e tyre këtu në Shqipëri këto aktivitete. Do të ketë deri në fund të qershorit javët e më pas do të fillojnë në shtator për të mbyllur në fund të nëntorit me Kosovën.
“E mbyllim me shqiptarinë, e mbyllim me të bukurën shqiptare kalendarin dhe ky kalendari Shqipëri – Kosovë që është kthyer tanimë në një traditë po merr gjithnjë e më tepër formë, në takimet e ndryshme që kemi pasur me kolegët e mi apo takimin e fundit të bienales e kanë mikpritur dhe kanë filluar ti japin një jehonë shumë të madhe kësaj nisme ku Shqipëria gjithnjë e më tepër shpalos një nga karakteristikat e saj më të mira që është mikpritja”, deklaroi ministrja.
Në kuadër të kësaj nisme aktivitete do të mbahen në Vlorë, në Shkodër, në Gjirokastër, në Berat, në Durrës.
“Është një program i cili gjen një mbështetje financiare nga qeveria shqiptare dhe edhe ky është një tjetër besim i fituar i Ministrisë së Kulturës”, deklaroi ministrja.



























