ATSH-Maela Marini/ Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot vaksinimin me dozën e katërt të vaksinave antiCOVID të grupmoshës mbi 60 vjeç dhe të personave me sistem të kompromentuar shëndetësor.

Po ashtu, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave por rekomandon fuqishëm mbajtjen e saj në ambiente të mbyllura dhe sidomos në ato të paajrosura mirë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli informoi se masat janë vendosur duke u nisur nga analiza e treguesve epidemiologjik dhe nga shifrat në ulje.

Po ashtu, ajo tha se Komiteti vendosi lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës.

Rakacolli tha se u vendos heqja e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo çertifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare duke filluar kjo nga data 1 maj i këtij viti.

“Këto masa do të vlerësohen në dinamikë duke u vlerësuar në nivelin e riskut në vend apo në botë. Pavarësisht nga situata epidemiologjike e tanishme, treguesit flasin që pandemia akoma nuk ka mbaruar. Ekziston mundësia e mutacioneve të cilat mund të jenë edhe më të rrezikshme dhe për të sëmurur rëndë. Vaksina mbetet mjeti më efikas për t’u mbrojtur nga sëmundja dhe momenti më i mirë për t’u vaksinuar është tani, për të krijuar një mbrojtje të qëndrueshme”, tha ajo.