ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e peshkimit në gjashtë liqenet e vendit, me qëllim ruajtjen e ekosistemeve tonë detare, pasi kjo është periudha dhe e shumimit të peshqve që rriten në këto liqene.

Sipas urdhrit të MBZHR, ndalohet peshkimi i krapit në Liqenin e Shkodrës, për një periudhë dymujore.

Ky është një urdhër i përvitshëm për të mos peshkuar në liqen, ku krapi ka tani periudhën e shumimit dhe kjo bëhet për të ruajtur ekosistemin detar.

Referuar urdhrit, për të gjithë peshkatarët është e ndaluar peshkimi me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 m nga bregu. Gjuetia ndalohet deri më datë 31 maj 2022, për treg dhe për konsum privat. Përjashtim, bën vetëm ngjala, e cila lejohet të peshkohet vetëm me grepa nga subjektet e pajisura me leje peshkimi nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës, siç është parashikuar në Planin e Menaxhimit të Ngjalës.

Gjithashtu ndalohet peshkimi me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të gjuhcës në liqenin e Shkodrës, për periudhën 1.4.2022 deri më 31.7.2022. Për periudhën 1.6.2022 deri më 30.6.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 m nga bregu.

Ministria e Bujqësisë njofton se ka ndaluar peshkimin edhe në liqenet e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit. Në këto pesë liqene, gjuetia ndalohet për një periudhë më të gjatë, deri më 20 korrik 2022.

“Ndalimin e peshkimit, me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve në liqenet e Ohrit (me përjashtim të koranit), Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit dhe konkretisht: për gjuhcën prej 20 prillit deri më 20 korrik 2022, në liqenin e Ohrit prej 1 prillit deri më 31 korrik 2022, për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit; për krapin, prej 20 prillit deri më 20 korrik 2022, në liqenin e Ohrit prej 25prillit deri më 25 maj 2022, për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit; për periudhën 20.7.2022 deri më 20.8.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu për liqenin e Ohrit dhe për periudhën 25.4.2022 deri më25.6.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 150 ml nga bregu për liqenet e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit”, thuhet në urdhrin e MBZHR-së. /j.p/