/ATSH-I. Vata/ Poeti pa varr, ushtaraku dhe disidenti, Trifon Xhagjika përkujtohet sot nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua në 1954, në Shkollën e Bashkuar, si oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për gazetari e histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Qysh në vitet e para të punës u bë i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, u transferua nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikati me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari dhe diçka e tillë do e çonte në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.

Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur dhe vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.