TIRANË, 11 maj/ATSH/ Një grup turistësh çekë dhe polakë vizituan fundjavën që lamë pas Rezervatin në Velipojë, pjesë e zonës së mbrojtur mjedisore Lumi Buna – Velipojë.

Ky rezervat është kthyer në një atraksion për turistët e natyrës dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë. Për t’u ardhur në ndihmë turistëve, Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër ka marrë të gjitha masat që të krijoj ambientet e pritjes dhe të njohjes me florën dhe faunën vendase, si dhe të vendosë në dispozicion të tyre grupe shoqërimi të specializuar.

Gjatë vizitës në këtë rezervat ata eksploruan shumëllojshmërinë floristike e faunistike, si dhe shijuan natyrën e mrekullueshme që ofron ky oaz qetësie, i pozicionuar brigjeve të Adriatikut dhe Bunës.

ADZM Shkodër bën të ditur se në këtë rezervat është e vendosur edhe Zyra e Informacionit, e cila ju vjen në ndihmë turistëve me informacionet e nevojshme rreth të gjithë zonës, ndryshimeve që ka pësuar në miliona vite, e sigurisht gjendjen në ditët e sotme.

I përdorur deri në vitet ’90 si rezervat gjuetie, sot në një sipërfaqe prej më shumë se 600 ha ofron për turistët dhe vizitorët mundësi të shkëlqyer për ecje në natyrë, çiklizëm natyror, kundrimi i zogjve në kullën e vrojtimit, kamping në natyrë etj.

Ky rezervat përbëhet nga pylli mjaft i dendur me pisha mesdhetare, vërri, frashër, plep, shelg shkurre mesdhetare etj. Ai është i pasur me ligatina me bimësi pyjore e shkurre, livadhe me bimësi barishtore të dendur. Në këtë pyll jetojnë kafshë të shumta të egra. Rezervati është një nga pozicionet më të bukura për pritjen e shpendëve migratorë për periudhën e dimrit.