/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha sot se “përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore janë vëmendja jonë kryesore gjatë kësaj periudhe”.

Gjatë një takimi me maturantë dhe mësues të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Andon Zako Çajupi”, Kushi diskutoi se si mund t’i mbështeten ata më shumë në këtë proces përgatitor për të pasur rezultate sa më të larta.

Kushi diskutoi me maturantët edhe mbi rëndësinë që ka këshillimi i karrierës në orientimin e drejtë të nxënësve, në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura për vazhdimin e studimeve në institucionet tona të arsimit të lartë.

Ministrja Kushi falënderoi të gjithë mësuesit që janë angazhuar dhe po i mbështesin maturantët çdo ditë plot përkushtim.

Provime maturës shtetërore do të jenë në këto data: gjuha e huaj do të jepet në datë 9 qershor 2022. Provimi për gjuhën shqipe dhe letërsinë në datë 11 qershor, provimi për lëndën e matematikës do të jepet në datë 17 qershor, ndërsa sa i takon lëndëve me zgjedhje do të jepen më datë 24 qershor.