TIRANË, 15 maj/ATSH/ Bordi i Transparencës vendosi rritjen e çmimit të naftës me 5 lekë/litrin dhe benzinës me 10 lekë/litrin, ndërsa çmimi i gazit u ul me 10 lekë për litër.

“Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 237 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 225 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 234 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 222 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 90 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 78 lekë/litër për automjetet”, bën të ditur ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas Bordit, çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 15 maj 2022 ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, bën të ditur MFE. /j.p/