TIRANË 17 maj /ATSH-I.Vata/ Në kuadër të kurimit të së shkuarës së regjimit komunist, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ftoi studiuesit dhe të interesuarit të hulumtojnë dosjen e deklasifikuar të ish-Sigurimit të Shtetit në TVSH.
Në Ditën Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit solli në vëmendje dosjen e Radio Televizionit Shqiptar ku gjenden raportime rreth formave të ndryshme që përdorte regjimi për pengimin e sinjaleve të huaja televizive konkretisht sinjalit televiziv italian të kanalit 5.
Ndër të tjera në këto dokumente shkruhet se: “..e dhëna ka vlerë pasi tregon për veprimtarinë keqbërëse dhe armiqësore duke sjellë si pasojë prishjen e qendrave përsëritëse, televizive me qëllim lejimin për të lejuar marrjen e kanalit italian”.
Dosja e RTSH-së u deklasifikua më 02.04.2021 dhe tashmë është në dispozicion të studiuesve. /j.p/



























