TIRANË, 18 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se, data 25 maj shpallet ditë pushimi për të gjithë institucionet publike që janë pjesë e qarkut të Tiranës.

“Sot qeveria mori vendimin që datën 25 ta shpallë si ditë pushimi për të gjithë institucionet publike që janë pjesë e qarkut të Tiranës. Pra do të jetë një ditë pushimi për të gjithë zyrtarët publikë të qarkut të Tiranës”, tha Çuçi në një dalje për mediet pas mbledhjes së qeverisë.

“Kjo masë merret në vazhdimin e masave që ne po marrim për të organizuar në mënyrë sa më shembullore një nga eventet më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë, siç është finalja e Konferencës së Ligës Evropiane, ku ne presim që të ketë një fluks njerëzish, që do vijnë, jo vetëm nga Italia dhe nga Holanda, për të ndjekur këtë finale”, tha Çuçi.

“Deri tani kemi një pritshmëri dhe interes nga gati 5-6 herë më shumë njerëz për bileta se çka kapacitet stadiumi “Air Albania”. Kështu që ne po marrim të gjitha masat që ajo ditë të jetë një ditë feste për të gjithë, jo vetëm pra për sportdashësit italianë dhe holandezë”, u shpreh Çuçi.

Çuçi theksoi se, “masa të tjera janë ato që lidhen me kufizimin e qarkullimit në Tiranë. E para, atë ditë, pra data 25, do të jetë një ditë pa makina, pra nuk do ketë në të gjithë Tiranën qarkullim të makinave, kuptohet përveç urgjencave dhe përveç sigurisht nevojave të të gjithë organeve që do të merren me mbarëvajtjen e eventit”.

“Dhe ajo që është e rëndësishme është që të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen në datën 25 deri në orën 6 pasdite. Që do të thotë që kushdo që do t’i bashkohet festës së finales së madhe në Tiranë në datën 25 që nuk është nga Tirana mund të vijë në Tiranë pas orës 6 të pasdites”, theksoi Çuçi.

“Kështu do të garantojmë që i gjithë fluksi i jashtëzakonshëm dhe që besoj që i paparë ndonjëherë në Tiranë, për një kohë kaq të shkurtër, të menaxhohet në mënyrën sam shembullore. për ta kthyer ashtu siç është në fakt, këtë event në një festë të madhe të jo vetëm sportdashësve italianë edhe holandezë, por një festë të madhe të të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Çuçi. /j.p/