Taulant Seferi, Endri Çekiçi
TIRANË, 28 maj /ATSH/ Taulant Seferi dhe Endri Çekiçi, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për media, në kuadër të sfidave zyrtare të Ligës së Kombeve, ndaj Islandës dhe Izraelit, e më pas miqësores ndaj Estonisë.
Dy kuqezinjtë kanë folur për objektivat e skuadrës për këto ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se Shqipëria do të tentojë vendin e parë.
Taulant Seferi rikthehet sërish në Kombëtare, teksa nuk e fsheh gëzimin që ka marrë një ftesë nga trajneri Reja. Sulmuesi kuqezi shprehet se është i fokusuar totalisht te Kombëtarja, ndërsa flet edhe për sfidën e parë ndaj Islandës dhe planet në të ardhmen.
“Në ndeshjet e marsit, Kombëtarja ka bërë shumë ndeshje të mira dhe siç e dini ju, në Ligën e Kombeve jemi ngjitur në një Ligë më lart, nga B në C dhe objektivi ynë në këtë fazë është të dalim në vendin e parë dhe unë kam parë një grup shumë të mirë dhe jam besimplotë se do të bëjmë një hap të mirë”, tha Seferi.
Seferi u shpreh shumë i lumtur që u shpall kampion me Tiranën
“Jam i fokusuar te Kombëtarja dhe jam shumë i lumtur që trajneri më ka ftuar dhe jam duke u përgatitur për ndeshjet e radhës. Ne jemi profesionistë dhe nuk guxojmë që të na bjerë ritmi. Duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe të përgatitur, kështu që do të përgatisim dhe do të jemi të freskët dhe 100% për ndeshjet e radhës”, u shpreh ai.
Sa i takon konkurrencës në skuadër, ai theksoi se, “e di që konkurrenca është e fortë, por në fund të fundit kam ardhur këtu për të bërë maksimumin dhe është trajneri që vendos se cili do të luajë. Unë kam dëshirë të luaj dhe do të bëj maksimumin që të fitoj besimin e tij dhe të marr minuta”.
Për sfidën Islandën, Seferi tha se, “është një kundërshtar që duhet vlerësuar, por ne do ikim aty për 3 pikët dhe për të marrë maksimumin. Duhet të jemi të përgatitur dhe të shkojmë për fitore”.
Sa i përket planeve për të ardhmen, Seferi u shpreh se, ” Në këto 15 ditë jam i fokusuar vetëm te Kombëtarja dhe nuk e kam mendjen te merkato. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Ndërsa, Endri Çekiçi, mesfushori shqiptar që luan në kampionatin turk ka bërë një sezon mjaft të mirë me ekipin e Koniasporit, duke shënuar edhe gola. Çekiçi ndalet te sezoni me skuadrën e tij në Turqi, ndërsa flet edhe për objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion. Përjashtimi i Rusisë, vendi i parë në grup, Europiani 2024, mungesa e Laçit dhe Bares si dhe pika e fortë e Shqipërisë ishin disa nga pyetjet që Çekiçi i dha përgjigje.
Për sezonin me Koniasporin, ai tha se, ” Që në fillim të sezonit e pamë që do kishim një sezon të suksesshëm dhe vazhduam ashtu. Vendi i tretë në kampionat, edhe pse po shpresonim për vendin e dytë, por në fund ishte një sezon shumë i suksesshëm”.
Për aspektin fizik, Çekiçi tha se, “jam përmirësuar shumë që nga transferimi në Turqi. U bënë dy sezone dhe këtë e kam shfaqur edhe në fushën e lojës. Sa i përket Kombëtares, gjithmonë kam qenë gati. Është trajneri ai që e vendos se kush do të luajë. Në momentin që jemi në fushë, është e rëndësishme që kush do që të jetë të japi 100%”.
Për fitoren e fundit me Islandën, Çekiçi tha se, “duhet ta lëmë mbrapa. Kanë kaluar dy vite nga ajo fitore. Ne jemi një ekip tjetër, ata janë një ekip tjetër. Është një ndeshje e re. Duhet të hyjmë që nga minuta e parë të fokusuar dhe të harrojmë atë që ka kaluar”.
I pyetur nëse përjashtimi i Rusisë e ka bërë më të lehtë grupin, Çekiçi u shpreh se, “përjashtimi i Rusisë na e ka bërë disi më të lehtë grupin. Kemi dy kundërshtarë që jemi pak a shumë në të njëjtin nivel. Ne duhet të hyjmë për vendin e parë. Kemi parë që në ndeshjet e fundit e kemi rritur shumë nivelin. Kemi shumë lojtarë të rinj që po luajnë në klube të mira dhe kemi shumë besim që do ia arrijmë qëllimit. Nëse dalim të parët në grup, kjo na jep edhe një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Europian, që është objektivi ynë kryesor. Kështu që vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë”.
Çekiçi nënvizoi se, “pika e fortë e Kombëtares në këto momente është harmonia në grup. Kur shikoj çunat, të gjithë janë të kënaqur, të gjithë janë të qetë dhe besoj se kjo do jetë pika jonë më e fortë”.


























