Udhëheqësit e BE-së u mblodhën sot disa orë pasi arritën një kompromis për ndalimin e importeve të naftës ruse në një samit dyditor në Bruksel.

“Embargoja ndaj importeve të gazit rus nuk përbën kryefjalën e diskutimeve, pavarësisht thirrjeve nga vendet baltike”, tha kancelari austriak, Karl Nehammer.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila ka mbështetur propozimin e BE-së për vendosjen e një embargoje të plotë ndaj të gjitha importeve të energjisë ruse, tha se realisht gazi nuk do të ishte pjesë e paketës së shtatë të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.

Kompromisi i së hënës do të përfshijë vetëm naftën që vjen nga deti, por jo përmes naftësjellësit. Ai përfshin përjashtime për naftësjellësin gjigant të epokës sovjetike “Druzhba”, i cili lidh Rusinë me disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore pas lobimit të fuqishëm nga Hungaria.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se pas arritjes së këtij kompromisi ishte përmbushur qëllimi për të reduktuar të ardhurat financiare të rusëve të cilët i përdornin ato për të ushqyer makinerinë e luftës.