ATSH/- Një studim i udhëhequr nga studiues të Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, ka zbuluar se virusi i hepatitit C (HCV) mund të jetë i pranishëm në pleksusin koroid, një strukturë qelizash që vesh barkushet e trurit, prodhon lëngun cerebrospinal dhe ndihmon në mbrojtjen e trurit.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Translational Psychiatry”, analizoi mostra të indeve të trurit pas vdekjes nga 256 persona: 84 me skizofreni, 73 me çrregullim bipolar, 23 me depresion madhor dhe 76 persona pa diagnozë psikiatrike.
Studiuesit identifikuan 13 lloje virusesh në mostrat e 46 personave.
Hepatiti C ishte i vetmi virus që tregoi lidhje statistikisht të rëndësishme me skizofreninë dhe çrregullimin bipolar.
ARN-ja e HCV-së u gjet në mostrat e pleksusit koroid te persona me skizofreni ose çrregullim bipolar, ndërsa nuk u raportua në grupin me depresion madhor ose te kontrollet pa çrregullime psikiatrike.
Studiuesit analizuan më pas të dhënat elektronike shëndetësore të një databaze, që përfshin më shumë se 285 milionë persona.
Hepatiti C kronik ishte i dokumentuar te 3,6% e personave me skizofreni dhe 3,9% e atyre me çrregullim bipolar, krahasuar me 1,8% te personat me depresion madhor dhe 0,5% te grupi i kontrollit.
Një tjetër gjetje ishte se studiuesit nuk zbuluan ARN të hepatitit C në hipokampus, zonën e trurit që lidhet me kujtesën dhe të mësuarit.
Megjithatë, te shtatë personat ku HCV-ja u gjet në pleksusin koroid, studiuesit vunë re ndryshime në aktivitetin e disa gjeneve në hipokampus, përfshirë ndryshime të lidhura me përgjigjen imunitare.
Studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë se hepatiti C shkakton skizofreninë ose çrregullimin bipolar.
Studimi tregon një lidhje dhe ofron dëshmi biologjike, që HCV-ja mund të jetë e pranishme në pleksusin koroid dhe të shoqërohet me ndryshime në indet e trurit, por nuk përcakton nëse infeksioni është shkak i drejtpërdrejtë i çrregullimeve psikiatrike.
Autorët sugjerojnë se, duke qenë se hepatiti C mund të trajtohet me barna antivirale, kërkime të mëtejshme duhet të shqyrtojnë, nëse trajtimi i infeksionit te pacientë të caktuar, mund të ndikojë edhe në simptomat psikiatrike.//a.i/



























