Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së se Bajram Begaj u përzgjodh si kandidat për President pasi është shembëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka nevojë urgjente.
“Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidaturës që do të çojmë në Kuvend për të votuar presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Sot procesi është përmbyllur duke vënë në dispozicion të gjithë kryesisë të gjitha kandidaturat e propozuara nga grupi parlamentar me zarfet e sekretuar”, tha Rama.
“Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe, është përjashtuar menjëherë dhe nuk është futur në tavolinë blloku i kandidaturave të propozuara nga brenda grupit parlamentar. Është bërë një diskutim në parim dhe është hequr edhe blloku i kandidaturave që janë të gjithë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj familje politike dhe që kanë pasur aktivitet politik në PS, sepse e kemi thënë edhe më parë, sot e kemi ridiskutuar dhe kemi dakordësuar të gjithë, që PS i takon që në këtë moment të shohë dhe të shkojë përtej vetes, sepse duhet t’i japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, qytetari dhe atë mirësi për të cilën kanë nevojë sot qytetarët”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në mbledhje u përqendruan në bllokun e tretë, i cili ka pasur 26 kandidatura që janë shoshitur në një numër të caktuar xhirosh në tryezën e diskutimit për të arritur në konkluzionin që PS do të mbështesë Bajram Begajn, shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
“E kemi zgjedhur, sepse është shembëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka nevojë urgjente. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një ndër kandidaturat e propozuara nga brenda grupit parlamentar të PS-së”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk ka qenë ndër propozuesit dhe i vjen shumë mirë që diskutimi i sotëm i kryesisë ishte një diskutim tërësisht i hapur, me shumë debat, me një frymë shumë pozitive dhe me shumë sens përgjegjësie, gjë për të cilën kemi shumë nevojë në mbledhjet tona të brendshme.
“Më vjen shumë mirë që një pjesë e kolegëve të kryesisë, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm, janë zhgënjyer pozitivisht”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se do ta telefononte Begajn dhe “do të kem shpresoj, nëse është këtu në qytet, një takim sonte me të”.
“Ne do të zgjedhim Presidentin e Republikës së Shqipërisë në seancën e ardhshme me mandatin që na kanë dhënë shqiptarët për të udhëhequr dhe sigurisht, pasi jemi tërësisht të qetë që kemi kaluar një proces ku ne e kemi dhënë disponibilitetin tonë të plotë dhe ku të tjerët kanë bërë punën e tyre. Fillimisht unë do të takohem me zotin Begaj, pastaj do ta votojmë dhe pastaj do të fillojmë të punojmë së bashku, secili në atë pjesë të frontit të përbashkët për Shqipërinë që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë”, tha ai.
I pyetur mbi Ilir Metën, Rama tha se “Ilir Meta nuk është komandant, është kaçak”.
“Këtu flasim për komandant dhe shefa shtabi, por sigurisht që ky vend ka pasur edhe kaçakë shumë të famshëm në grupin e të cilëve Ilir Meta do të ketë pjesën e vetë, bashkë me Haxhi Qamilin dhe me të tjerë”, tha ai.
Rama shtoi se “sot kemi konsideruar me shumë respekt një numër kandidaturash që kanë rezultuar të jenë në atë bllokun e fundit, grupin e fundit, 6 kandidatura dhe me shumë kujdes kemi renditur të gjitha aspektet pozitive apo aspektet që mund të krijojnë diskutim ose debat për secilin profil”.
“Kemi arritur në konkluzionin se Bajram Begaj është i duhuri për të qenë President i Republikës së Shqipërisë në 5 vitet e ardhshme. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti dhe eksperienca na tregon se në radhën e presidentëve që kemi pasur, ai që vinte nga ajo zonë e jetës që janë FA, është edhe presidenti që jo sot që mbahet mend për mirë nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, por është presidenti që do të mbahet mend shumë gjatë, që është Alfred Moisiu”, tha Rama.
“Kujtoj se edhe kur u zgjodh Moisiu shumë buzë u rrudhën, shumë nënqeshje u prodhuan, shumë ironi u bënë, por Alfred Moisiu tregoi se si duhet të jetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Dhe për hir të së vërtetës, çfarë erdhi prapa Alfred Mosiut ishte keq e mos më keq, dhe në fund s’ka më keq. Kështu që kini besim, se nëse i besojmë përfaqësuesve të lartë të FA edhe një detyrë publike civile të jetës qytetare, ata nuk zhgënjejnë përgjithësisht”, tha Rama.
Pyetjes se përse nuk u zgjodh një grua, Rama iu përgjigj se: “Kemi pasur në pjesën e fundit të diskutimit 3 gra dhe 3 burra. Është bërë një diskutim i gjatë, nuk ka asnjëherë dyshim që unë jam gjithmonë i prirur të mbështes maksimalisht kandidaturat gra, por nuk kemi arritur në pikën që të diskriminojmë burrat për këtë arsye. Kështu që nuk kemi parë thjesht këtë aspekt, por kemi parë tërësinë e personaliteteve që ne kemi shqyrtuar dhe të cilët pavarësisht se do ta marrin apo jo vesh që kanë qenë pjesë e diskutimit, dua t’i falënderoj të gjithë”.



























