ATSH/- Ekipit që merr pjesë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, i cili mbahen në Algjeri në datat 25 qershor – 5 korrik, iu dorëzua sot flamuri kombëtar.

Në ceremoninë e zhvilluar merrnin pjesë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Kryetari i Bashkisë, Tiranë Erion Veliaj, përfaqësues diplomatikë të Ambasadës Algjeriane, sportistë, trajnerë të ekipit olimpik, përfaqësues të KOKSH dhe federatave sportive, familjarë të sportistëve dhe përfaqësues biznesi.

Pasi u dorëzoi flamurin kombëtar dy sportistëve flamurmbajtës, ministrja Kushi theksoi se Shqipëria tashmë është ngritur në një nivel të ri në sport, me më shumë suksese, më shumë medalje, më shumë respekt e dinjitet.

“Qeveria Shqiptare ka treguar mbështetje gjatë këtyre viteve ndaj sportistëve në përgjithësi, dhe sportistëve elitarë në veçanti, që na përfaqësojnë denjësisht në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi ministrja.

Kushi theksoi se e bëjnë krenare ndryshimet e fundit në VKM-në “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre”, ku është parashikuar shpërblimi i sportistëve të sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare.

Më tej, ajo shtoi se Kupa e Botës, Finalja e Conference League, Kampionati Evropian i Peshëngritjes, të gjitha do të pasohen edhe nga shumë të tjera.

Sipas saj, këto ngjarje kontribuojnë në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme njëra “Kupa e Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial i shkëlqyer për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat padyshim përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin.