ATSH-ANSA/ – Nga frutat te fluturimet dhe nga faturat te koha e lirë, çmimet në Itali po rriten ndjeshëm, ndërkohë që inflacioni ishte ”i shfrenuar” në qershor dhe arriti në 8%, norma më e lartë në 36 vjet.
Për ushqimet, për kujdesin shtëpiak dhe personal, rritja është edhe më e madhe dhe arrin në 8,3%, sipas të dhënave paraprake të ISTAT.
Ky është gjithashtu një rekord që nga janari i vitit 1986.
Ka edhe surpriza të pakëndshme për ata që kanë mundësi të shkojnë me pushime, pasi çmimet e biletave pothuajse dyfishohen (+ 90,4%) dhe hotelet dhe akomodimet e tjera janë 18,1% më të shtrenjta se një vit më parë.
Çmimet shënojnë gjithashtu një kulm absolut në nivel evropian dhe janë rritur me 8,6% në eurozonë, një nivel i paregjistruar kurrë nga Eurostat që nga ”lindja” e monedhës së përbashkët.
”Tensionet inflacioniste vazhdojnë të përhapen nga mallrat energjetike në sektorët e tjerë të produkteve”, është komenti nga ISTAT.
”Rritje prej 39,9% për mallrat energjetike të parregulluara si karburantet dhe 64,3% për ato të rregulluara, por edhe rritje prej 8,8% për ushqimin dhe akoma më shumë për frutat dhe perimet e freskëta”, shton ai.
”Çmimet janë gjithashtu shumë më të shtrenjta për shërbimet rekreative, kulturore dhe të kujdesit personal (+ 5%) dhe për shërbimet e lidhura me transportin (+ 7.2%). Inflacioni bazë, neto nga mallrat e energjisë dhe ushqimet e freskëta, shënon një maksimum prej + 3,8%: është niveli më i lartë që nga gushti 1996”, thekson ai./ a.jor.


























