Presidenti francez, Emmanuel Macron hodhi poshtë sot akuzat se ai kishte ofruar mbështetje të fshehtë dhe të tepruar për kompaninë e shërbimit të transportit “Uber” gjatë kohës kur ai shërbente si ministër i Ekonomisë midis 2014 dhe 2016.

Reagimi i Macron erdhi pas publikimt të aktiviteteve të kompanisë amerikane, përfshirë akuzat për sjellje të pahijshme nga drejtuesit e “Uber”, që u bënë publike gjatë fundjavës.

“Thjeshtimi i kufizimeve në sektor ka lehtësuar krijimin e mijëra vendeve të punës për shoferët në Francë”, tha Macron.

E-mailet dhe bisedat në lidhje me “Uber” për periudhën 2013 deri në 2017 janë publikuar, duke ofruar një pasqyrë të taktikave agresive të biznesit dhe lobimit. Burimi ishte një ish-menaxher i “Uber”.

Një numër gazetash, duke përfshirë “Le Monde” në Francë, raportuan për takime mes Macron si ministër i Ekonomisë dhe drejtuesve të “Uber”, të cilat nuk ishin pranuar më parë, duke pretenduar se ishte përpunuar një strategji e përbashkët për të promovuar “Uber” përballë kundërshtimit të qeverisë.

Partitë e opozitës franceze dhe sindikatat shprehën zemërim për sjelljen e Macron, siç zbulohet në atë që është përshkruar si “Dosjet Uber”.

Philippe Martinez, kreu i konfederatës së sindikatave CGN, akuzoi Macron për heqjen e të drejtave të punëtorëve për të lehtësuar heqjen e rregulloreve dhe për të ndihmuar kompanitë si “Uber”.

Macron u përgjigj se ai do të vazhdonte diskutimet konfidenciale me liderët e biznesit të huaj për të krijuar vende pune në Francë.