Lituania do të krijojë një infrastrukturë të nevojshme për të pritur një njësi ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga Gjermania, në mesin e vitit 2025.

Planet u konfirmuan sot nga kreu i Komitetit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen, Laurynas Kasciunas, në Vilnius. Deri më tani, viti 2027 ishte vendosur si data e stacionimit të më shumë trupave të NATO-s në vend, i cili është pjesë e Bashkimit Evropian dhe si dhe e aleancës së mbrojtjes.

Duke pasur parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë, NATO vendosi muajin e kaluar në samitin të forcojë krahun e saj lindor. Grupet luftarake ekzistuese shumëkombëshe të NATO-s do të zgjerohen dhe Gjermania do të drejtojë një njësi luftarake me 3 000 deri në 5 000 ushtarë në Lituani.

Sipas planeve fillestare, vetëm njësitë luftarake do të vendosen në terren. Trupat e tjerë do të qëndrojnë në gatishmëri në vendet përkatëse.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Arvydas Anusauskas, vendosja e njesive luftarake në Lituani kërkon ndërtimin e depove të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe infrastrukturës për të akomoduar trupat.

Që nga viti 2017, një batalion i NATO-s me rreth 1600 ushtarë është vendosur në Lituani, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe aleatin e Rusisë, Bjellorusinë. Ajo drejtohet nga ushtria gjermane, e cila aktualisht ka kontigjentin më të madh prej më shumë se 1000 trupash. Batalioni është i integruar në brigadën e këmbësorisë lituaneze “Ujku i Hekurt”.