Ekonomia shqiptare vazhdon të sigurojë një mjedis të favorshëm për biznesin dhe është pranuese ndaj nevojave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ky vlerësim bëhet nga OECD, në raportin e publikuar së fundmi “SME POLICY INDEX Western Balkans and Turkey 2022”, i cili jep një përmbledhje gjithëpërfshirëse të implementimit të dhjetë parimeve të Aktit për Bizneset e Vogla për Evropën (SBA) në rajonin e zgjerimit të BE dhe monitoron progresin e arritur që prej vitit 2019.

Raporti vlerëson se që nga viti 2019, Shqipëria ka përmirësuar performancën e saj në të 12 fushat e politikave, duke reflektuar kështu rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në axhendën e politikave të qeverisë. Shqipëria shënon rezultate mbi mesataren e rajonit në 5 fusha të Politikave, konkretisht në kuadrin institucional dhe rregullator për hartimin e politikave për NVM-të, mjedisin operacional për NVM-të, prokurimin publik,  standardet dhe rregulloret teknike dhe ndërkombëtarizimin e NVM-ve.

Në raport vlerësohen disa nga reformat e bëra në vend. Kështu, raporti vlerëson se mjedisi operacional i Shqipërisë për SME-të mbetet më i avancuari në rajon, reformat dixhitale janë zbatuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë nivelet e qeverisë dhe është bërë përparim si në rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve dixhitale të qeverisë ashtu edhe në përmirësimin e tyre për t’iu përshtatur më mirë nevojave të përdoruesve.

Po ashtu theksohet se mbështetja për NVM-të pritet të rritet ndjeshëm me strategjinë e sapo miratuar për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve (2021-2027), e cila parashikon shërbime mbështetëse të biznesit të përshtatura më mirë me nevojat e NMVM-ve.

Vlerësohet se është bërë përparim i konsiderueshëm në mbështetjen e ndërkombëtarizimit të NVM-ve, me një mjedis gjithnjë e më të favorshëm që rrit sofistikimin dhe inovacionin e eksporteve duke rritur gjithashtu konkurrueshmërinë e eksportit.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme i kontribuojnë performancës ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhues të shoqërive.

Në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Serbi dhe Turqi (shtatë ekonomitë pretendente për BE), ato përbëjnë rreth tre të katërtat e punësimit të sektorit privat dhe gjenerojnë rreth 60% të vlerës së shtuar të sektorit privat.

/m.m/atsh