ATSH/ Liqeni i Dashit, Monument Natyre, i ndodhur në Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë është kthyer në një destinacion turistik për turistët e pasionuar pas alpinizimit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot momente nga ngjitja e turistëve në Liqenin e Dashit, gjatë fundjavës që lamë pas.
“Liqeni i Dashit ndodhet në 2180 metër lartësi brenda Parkut Kombëtar të sapokrijuar “Alpet e Shqipërisë” . Vazhdimisht e sidomos në këto ditë të nxehta është destinacion për vizitorët shqiptarë e të huaj të turizmit malor”, thekson Kumbaro.
Ky liqen është një nga liqenet më të mëdhenj akullnajorë që gjendet në vargmalin malor që ruan në të katër stinët e vitit të njëjtin nivel ujor.
I ndodhur mes kullotave alpine të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë me një peizazh piktoresk është kthyer në një destinacion shumë të vizitueshëm turistik nga vizitorët vendas dhe të huaj.



























