ATSH – I. Vata/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në takimin e Kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët për paraqitjen e bilanceve të qeverisjes vendore falënderoi bashkitë për vendosjen e arsimit si prioritet.

“Për 2 vite, 2020-2021 kanë qenë dy vite ku qeveria ka qenë e detyruar të ndërhyjë në zonat e dëmtuara nga tërmeti, ku janë 170 shkolla, ku një pjesë e madhe kanë përfunduar dhe një pjesë janë në proces dhe pritet të përfundojnë së shpejti, por duke filluar nga ky vit do t’i kthehemi normalitetit dhe kemi një buxhet të dedikuar për arsimin edhe në qarqe të tjera të vendit. Nga thirrja që kemi bërë bashkitë kanë aplikuar për projekte dhe ne kemi miratuar 25 objekte arsimore që do të fillojnë nga procesi i ndërtimit apo rindërtimit”, tha ajo.

Kushi theksoi se cilësia duhet të jetë në nivele të larta.

“Nuk flasim për rikonstruksione të standardit të ulët siç bëhej më parë. Flasim për standarde bashkëkohore, shkollat kanë terrene sportive, laboratorë, biblioteka, pra është detyrim për ju që këto investime të reja të përputhen me prioritetet tona”, tha ajo. /j.p/