Kriza e fortë e çmimeve duket se po lëkund edhe ekonominë amerikane, pasi është tkurrur për të dytin tremujor radhazi, duke rritur rrezikun për një recesion të mundshëm.
Por, nisur nga ecuria e deritanishme e ekonomisë amerikane , pasiguritë janë shtuar edhe për gjysmën e dytë të vitit. Besimi i biznesit dhe konsumatorëve amerikanë është përkeqësuar, ndërsa inflacioni vijon të qëndrojë në nivele të larta.
Norma e inflacionit në shtetet e Bashkuara arriti në 9.1% në qershor, duke reflektuar goditjen e fortë të çmimeve të larta, duke bërë që edhe familjet amerikane të përballen me kosto të rritura të jetesës.
Përshpejtimi i inflacionit bëri që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit me 0.75% për të dytin muaj radhazi në përpjekje për të zbutur efektet e tij në ekonomi, një veprim që erdhi vetëm një ditë para publikimit të shifrave të reja të ecurisë së ekonomisë amerikane për tremujorin e dytë.
Sinjale negative shfaqën edhe kursimet e amerikanëve që ranë në 968.4 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, nga 1.02 trilionë dollarë që ishin në tremujorin e parë të këtij viti.
Pak ditë më parë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimet e rritjes globale si rrjedhojë e situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë. Ndërkohë sipas tij, ekonomia e shteteve të Bashkuara do të rritet vetëm me 2.3% këtë vit dhe rritja do të jetë më e ulët për vitin e ardhshëm prej 1%.
Top Channel



























