Kombëtarja shqiptare U-18 zhvilloi këtë të enjte edhe miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi U-18, që u luajt në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë.
Trajneri Ardi Behari vendosi të bëjë një ndryshim në formacionin startues të kësaj sfide të dytë, duke hedhur në fushë këtë 11-she titullarësh: Klevis Totoshi, Zylyf Muça, Ardit Nuredini, Arlind Kurti, Luis Buzi, Ermal Meta, Arxhei Beluli, Ersi Syla, Oresti Kasmollari, Rinor Dukagjini, Ensar Tafili.
Pjesa e parë e takimit është e balancuar, me dy skuadrat që qarkullojnë topin, teksa rastet për shënim janë të pakta. Në minutën e 33-të, malazezët ia dalin të marrin avantazhin, pas një goditje dënimi perfekte. 45 minutat e para mbyllen nën epërsinë e fqinjëve, 1-0, teksa në fraksionin e dytë të lojës, Mali i Zi realizon edhe dy gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 3-0. Trajneri Behari aktivizoi në këtë sfidë të gjithë lojtarët e grumbulluar për këto dy miqësore, një pjesë e të cilëve janë produkt i ekipeve zinxhir të moshave kuqezi, U-15, U-16 dhe U-17, ndërsa pjesa tjetër janë elementë të provuar për herë të parë në ekipet kombëtare.
Top Channel

























