/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencës informoi sot se sipas llogaritjeve hidrologjike si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë më 14 dhe 14 dhjetor do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Sipas IGJEO, përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurje maksimale, të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara gjatë paradites së ditës së nesërme, 15 dhjetor.

“Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale gjatë pasdites së nesërme, 15 dhjetor. Në lumenjtë Seman dhe Vjosë nuk pritet rrezik për përmbytje. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të ketë vërshime të shpejta të lumenjve si dhe rrëshqitje të dherave”, tha IGJEO.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve pritet të ketë përmbytje të lokalizuara në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

/k.s/