Andrea Cozzolino, një anëtar italian i Parlamentit Evropian (PE) i cili po mbahet në Itali pas akuzave për korrupsion, për momentin nuk do të ekstradohet në Belgjikë, sipas një vendimi të gjykatës në Napoli.

Gjykata e Napolit shtyu vendimin me kërkesë të avokatëve të Cozzolino, të cilët kërkuan kohë për të shqyrtuar kushtet në të cilat Cozzolino do të mbahej në Belgjikë.

Gjykata pranoi kërkesën dhe caktoi datën 28 shkurt si datë për seancën e radhës, raportojnë agjencitë e lajmeve ANSA dhe Adnkronos.

Cozzolino, 60 vjeç, akuzohet se ka pranuar ryshfet nga vende si Katari dhe Maroku në këmbim të përdorimit të ndikimit të tij si anëtar i legjislaturës së BE-së.

Ai i ka mohuar akuzat.

Një ish-nënkryetare e Parlamentit Evropian nga Greqia, Eva Kaili, po mbahet në Bruksel që prej dhjetorit.

Gjatë fundjavës, Marc Tarabella, një eurodeputet belg, u arrestua gjithashtu pas dyshimeve për lidhje me skandalin.

Një gjykatë e Napolit urdhëroi që Cozzolino të mbahej në arrest shtëpie në fillim të kësaj jave.

Avokatët e tij argumentuan se kushtet me të cilat do të përballej klienti i tyre në Belgjikë nuk do të ishin të përshtatshme.

Ata gjithashtu kërkuan informacion shtesë nga prokurorët në Bruksel./