Sot është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës. Sipas shkencëtarëve një sasi e vogël e përditshme çokollate, sjell të mira për organizmin, veçanërisht ato prodhime që janë të errëta e me përqindje të lartë kakaoje.
Në një artikull publikuar nga Agjencia Italiane e Lajmeve (ANSA) thuhet se, në përgjithësi, përbërësit bioaktive në çokollatën e zezë mund të jenë të shkëlqyera për lëkurën tuaj, sidomos tani që jemi në stinën e nxehtë të vitit.
Mund të jetë e dobishme të dihet se sipas disa studimeve, çokollata mund të mbrojë lëkurën nga dielli. Arsyeja? Falë flavonoleve, ndikon tek sasia minimale e rrezeve UVB të nevojshme për të shkaktuar skuqje të lëkurës 24 orë pas ekspozimit.
Flavonolet mund të mbrojnë kundër dëmtimit të diellit, të përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe të rrisin densitetin dhe hidratimin e lëkurës. Çokollata gjithashtu përmirëson funksionet njohëse, si në moshën e rritur, ashtu edhe në rastin e të moshuarve. Flavonolet rrisin fluksin e gjakut në tru, por edhe të stimuluesve si teobromina dhe kafeina që përmirësojnë funksionin e trurit në afat të shkurtër. Me kalimin e kohës, studime të shumta kanë treguar gjithashtu se konsumimi i kakaos ose çokollatës mund të ulë presionin e gjakut dhe të përmirësojë shëndetin kardiovaskular.
Në konsumimin e çokollatës padyshim që duhet shumë moderim, duke pasur parasysh se është shumë kalorike, përmban sheqerna edhe në formë të errët dhe është e lehtë të hahet më shumë seç duhet.atsh


























