Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot gjatë takimit sot me shqiptarët në Milano, në kuadër të turit të tij me bashkatdhetarët jashtë vendit se kjo “është hera e parë që kemi në duar fatin evropian të vendit”.
Ky është takimi i dytë që ai zhvillon në Itali me shqiptarët që jetojnë në këtë qytet.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “kjo është hera e parë në historinë tonë të zgjedhjeve që edhe ju, edhe të gjithë shqiptarët jashtë kufijve do të kenë mundësi të zgjedhin pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri”.
“Në vend se ju të vini në Shqipëri, jemi ne që vijmë tek ju dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që edhe këtë, siç u zotuam në krye të herës, e bëmë realitet dhe tani çdo shqiptar dhe shqiptare që do të shprehet me votën e vet për drejtimin e vendit ka mundësi ta bëjë pa lëvizur nga vendbanimi i vet kudo ku është jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha Rama.
“Ishte e thënë që në të parat zgjedhje ku shqiptarët e Evropës dhe botës marrin pjesë fati ynë, fati i shqiptarëve të na sillte në një zgjedhje që është si një përballje përfundimtare me historinë tonë, duke na e dhënë ne shqiptarëve të sotëm shansin që me një votë t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë”.
“Parafytyrojeni vetëm me një votë. Një votë për të bërë histori, një votë për të ndryshuar kahjen e historisë, një votë për të shënuar veten në histori, secili dhe secila që do ta investojnë votën për atë që ne së bashku duam të arrijmë”, u shpreh Rama.
Pikërisht tani, shtoi Rama, “kur siç e shihni dhe ju në Itali, situata është e turbullt, gjëmimet dhe kërcënimet e luftës dhe rrëmuja e përgjithshme paralajmërojnë kohë shumë të vështira, pikërisht tani ne shqiptarët nuk mund ta humbasim kurrsesi këtë shans që është një takim me historinë dhe nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe as për hallin personal të bufit të kënetës që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit”. /j.p/