ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e formularëve të kërkesës për përdorim burimi ujor, dokumenteve shoqëruese, procedurës së shqyrtimit e vendimmarrjes, formateve të lejes, autorizimit, kushteve të posaçme dhe afateve të vlefshmërisë së tyre.
Objekt i këtij vendimi është miratimi i formularëve të kërkesës për miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor, të lejes/autorizimit për përdorim burimi ujor, veprimtari ndërtimore në brigje, veprimtari në shtratin e burimit ujor, shkarkime të lëngshme, përdorim dhe ripërdorim të ujërave të përdorura, të ndotura, dokumenteve shoqëruese, procedurës së shqyrtimit të kërkesave, vendimmarrjes, rinovimit, ndryshimit, transferimit, pezullimit, revokimit të tyre, formateve të lejes/autorizimit, kushteve të përgjithshme e të posaçme të tyre dhe afateve të vlefshmërisë së tyre.
Autoriteti kontraktor, që kërkon miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, paraqet kërkesën on-line, nëpërmjet portalit “e-Albania”, në shërbimin “Aplikim për përdorim burimi ujor”, duke ngarkuar formularin e kërkesës për miratimin, në parim, të dhënies me koncesion të përdorimit të burimit ujor sipërfaqësor ose nëntokësor, të plotësuar, si dhe dokumentacionin teknik e ligjor, të parashikuar në formular.
Çdo person fizik, juridik, privat apo shtetëror (në vijim aplikant), i cili kërkon leje/autorizim, ndryshimin, transferimin, pezullimin apo revokimin e lejes/autorizimit, paraqet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij kërkesën on-line, në portalin “e-Albania”.
Kërkesa paraqitet nëpërmjet plotësimit të formularit të të dhënave të përgjithshme, ngarkimit në sistemin elektronik të formularit të kërkesës për veprimtarinë përkatëse, të dokumentacionit teknik e ligjor shoqërues, të përcaktuar në të, dhe të dokumentit që provon pagesën e tarifës së kërkesës. Dokumentacioni teknik, që ngarkohet, duhet të jetë i nënshkruar me firmë elektronike nga subjekti hartues i licencuar.
Kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues shqyrtohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, AMBU.
AMBU-ja shqyrton formalisht, brenda 5 (pesë) ditëve punë, nëse është paraqitur i gjithë dokumentacioni teknik e ligjor. Ky afat fillon nga dita e nesërme e regjistrimit të kërkesës për miratim, në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor apo kërkesës për leje/autorizim në portalin “e-Albania”. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, AMBU-ja njofton aplikantin që, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, të plotësojë dokumentacionin. Me dërgimin e njoftimit si më sipër, ndërpritet llogaritja e afatit të shqyrtimit të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit dhe fillon një afat i ri. Nëse aplikanti nuk plotëson dokumentacionin, brenda afatit të caktuar, ose nëse dokumentacioni i ngarkuar në sistem ka përsëri mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
Në mungesë njoftimi për mangësi në dokumentacion, brenda afatit të përcaktuar në pikën 4, të këtij kreu, AMBU-ja ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës.
Pasi aplikanti ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm teknik e ligjor, të përcaktuar në formularët e kërkesës për secilën veprimtari dhe ka paguar tarifën e kërkesës, AMBU-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, përfundon shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës.
Nëse gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesës, AMBU-ja konstaton mangësi në përmbajtje, mospërputhje të dhënash teknike dhe/ose ligjore ose vlerëson se është e nevojshme që të kryhen ndryshime në projektin e paraqitur, njofton aplikantin për plotësimin, korrigjimin, ndryshimin e dokumentacionit ose të projektit, duke dhënë arsyet përkatëse.
Këto veprime duhet të kryhen nga aplikanti brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga njoftimi.
Ky afat zbatohet për plotësimin apo saktësimin e dokumenteve, për të cilat nuk kërkohet miratimi nga organet e administratës shtetërore ose të enteve publike.
AMBU-ja për çdo kërkesë analizon ndikimin e zhvillimit të veprimtarisë në statusin e trupit ujor që kërkohet të përdoret, në ato raste kur statusi është i përcaktuar në planet e menaxhimit të baseneve lumore. Nëse konstatohet se veprimtaria ka ndikim të konsiderueshëm në përkeqësimin e statusit të trupit ujor, AMBU-ja përfshin argumentet në relacionin teknik e ligjor, duke rekomanduar kufizime në ushtrimin e veprimtarisë apo refuzimin e kërkesës.
Në ato raste, kur vendimmarrja për miratimin e lejes/autorizimit është në kompetencë të AMBU-së, kufizimet përkatëse apo refuzimi i kërkesës bëhet nga kjo e fundit.
Pas shqyrtimit të kërkesës, AMBU-ja, kur ligji parashikon se miratimi i lejes/autorizimit është në kompetencë të saj, përgatit raportin teknik dhe ligjor.
Nëse gjykohet e nevojshme, AMBU-ja ka të drejtë t’ia dërgojë për mendim kërkesën për leje/autorizim dhe institucioneve të tjera shtetërore ose operatorëve të shërbimeve publike, të cilët brenda 7 (shtatë) ditëve punë, kanë detyrimin të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën. Kur kërkesa për leje/autorizim prek zonë të mbrojtur, në çdo rast merret mendimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Në këtë rast, AMBU-ja përgatit raportin teknik e ligjor pas marrjes së mendimit nga këto institucione. Në mungesë të përgjigjes, brenda afatit 7-ditor, prezumohet që institucioni ose grupi i interesit nuk ka komente për kërkesën dhe është dakord me vijimin për vendimmarrje.
Në këtë rast, AMBU-ja njofton aplikantin nëpërmjet portalit “e-Albania” për përfundimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës dhe dërgimin për vendimmarrje.
Pas shqyrtimit të kërkesës, AMBU-ja, me përjashtim të rasteve kur miratimi i lejes/autorizimit, sipas ligjit është në kompetencë të saj, ia dërgon për mendim kërkesën për leje/autorizim, nëpërmjet portalit “e-Albania”, institucioneve që përfaqësohen me anëtarë në KKTU, në rastet kur ligji parashikon se miratimi është kompetencë e këtij organi ose kryetarit të KBL-së dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit e institucioneve, që përfaqësohen me anëtarë në këtë organ, në rastet kur miratimi është kompetencë e KBL-së. Institucionet dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit duhet të shprehin mendimin e tyre brenda 7 (shtatë) ditëve punë.
AMBU-ja ka të drejtë t’ia dërgojë për mendim kërkesën për leje/autorizim dhe institucioneve të tjera shtetërore ose operatorëve të shërbimeve publike, të cilët brenda 7 (shtatë) ditëve punë kanë detyrimin të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën. Kur kërkesa për leje/autorizim prek zonë të mbrojtur, në çdo rast merret mendimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Nëse gjatë procesit të bashkërendimit të kërkesës, sipas pikës 9, të këtij kreu, një nga institucionet kundërshton dhënien e lejes/autorizimit, atëherë AMBU-ja, pasi e vlerëson këtë mendim, nëse është brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të institucionit përkatës, i kërkon aplikantit të plotësojë mangësitë e konstatuara brenda 10 (dhjetë) ditëve punë.
Nëse kundërshtimi bëhet për arsye të tjera, AMBU-ja pasqyron arsyet e kundërshtimit në raportin teknik e ligjor, që i përcillet organit miratues, pa kërkuar plotësime nga aplikanti.
Nëse plotësimet e kërkuara nuk ngarkohen në sistemin elektronik, brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë apo ngarkohen përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja njofton dhe një herë aplikantin për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve punë. Nëse plotësimet nuk ngarkohen në portalin “e-Albania” ose janë përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës dhe bashkërendimit të saj AMBU-ja përgatit raportin e vlerësimit teknik e ligjor dhe e përcjell për vendimmarrje në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, përmes sekretariatit teknik të këtij organi ose në Këshillin e Basenit Lumor, sipas kompetencave të përcaktuara në ligj për miratimin e veprimtarisë përkatëse, përveç rasteve kur AMBU-ja është vetë kompetente për miratimin e lejes/autorizimit, sipas përcaktimeve në ligj.
Në këtë rast, AMBU-ja njofton aplikantin nëpërmjet sistemit elektronik për përfundimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës dhe për përcjelljen e saj pranë organit kompetent.
Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/j.p/