Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan u zhvillua sot Konferenca Ndërkombëtare “Democracy at Crossroads: Resilient Cooperation and Peacebuilding”, e organizuar nga Peace Volunteering Netëork (PVN) në partneritet me universitetin. Aktiviteti solli në fokus forcimin e demokracisë, dialogun ndërsektorial dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe transparencës në qeverisjen lokale.
Konferenca u hap me përshëndetjet e Rektores Znj. Elvira Fetahu, e cila foli për rëndësinë e demokracisë dhe rolin e qytetarëve në zhvillimin e komuniteteve, kryetarit të Bashkisë z. Gledian Llatja, dhe të Drejtores Ekzekutive të PVN, Znj. Oltiana Rama.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Znj. Tone Skindlo Taraldsen, koordinatore e përgjithshme e Arendal Ëeek në Norvegji, Znj. Frederique Hanotier nga Delegacioni i BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, dhe Z. Abdullahi M. Alason, këshilltar dhe ekspert në integrim dhe diversitet nga Norvegjia.
Gjatë konferencës u theksua roli i Bashkisë Elbasan në forcimin e demokracisë vendore dhe nxitjen e pjesëmarrjes qytetare. Bashkia po hedh hapa konkretë përmes Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP Local), një nismë që synon të forcojë transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ky forum përfaqëson një model të ri bashkëpunimi midis institucioneve, akademisë dhe komunitetit, një platformë dialogu ku zëri i qytetarëve bëhet pjesë e përditshme e qeverisjes vendore dhe instrument kryesor për ta bërë demokracinë të prekshme në jetën e qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, gjatë fjalës së tij u ndal gjatë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe bashkëpunimit ndërsektorial. Ai theksoi se demokracia nuk është një arritje statike, por një proces organik që ndërtohet çdo ditë përmes angazhimit dhe përgjegjësisë së qytetarëve.
“Demokracia lulëzon kur qytetarët kanë besim te institucionet e tyre dhe kur debati publik është i hapur dhe i informuar. Sfida e dezinformimit, polarizimit dhe rënies së besimit kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve shoqërorë, shoqërisë civile, medias, akademisë, sektorit privat dhe komuniteteve vendore.”
Pjesë e prezantimeve ishte edhe përvoja ndërkombëtare e Arendal Week në Norvegji, e prezantuar për të pranishmit nga Znj. Tone Skindlo Taraldsen
Llatja pohoi se pjesëmarrja në Arendal Week në Norvegji, ku qytetarët, institucionet dhe shoqëria civile bashkëpunojnë në dialog të hapur, ka frymëzuar iniciativat në Elbasan, duke filluar me Festivalin e Demokracisë dhe Forumet e Qeverisjes së Hapur.
“Në Arendal pashë nga afër sesi institucionet dhe qytetarët ndërveprojnë në një dialog konstruktiv dhe të hapur. Kjo përvojë na frymëzoi të sjellim praktikat më të mira në Elbasan, duke krijuar një model të veçantë të demokracisë vendore,” u shpreh Kryetari Llatja.
Bashkia e Elbasanit është e gatshme për të organizuar këtë nismë falë infrastrukturës organizative dhe bashkëpunuese, mbështetjes nga institucionet dhe partnerët, përvojës konkrete në qeverisje demokratike dhe një komuniteti aktiv e të ndërgjegjshëm qytetar. Festivali i Demokracisë shërben si një hapësirë e hapur për dialog qytetar, transparencë dhe ndërveprim institucional, ku zëri i çdo qytetari ka rëndësi. Përmes debateve publike, forumeve rinore, ekspozitave dhe aktiviteteve kulturore, qytetarët kanë mundësi të përjetojnë demokracinë si një proces të gjallë që ndërtohet çdo ditë, me përfshirje, respekt dhe besim të ndërsjellë.
Ky projekt shihet si vazhdim natyror i përpjekjeve të Bashkisë për ta bërë demokracinë të prekshme dhe domethënëse në jetën e përditshme të qytetarëve.
Qëndrueshmëria e modelit mbështetet në partneritete ndërkombëtare, bashkëpunim institucional, përvojë ndërkombëtare dhe pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile dhe komunitetit lokal.
Forumet e Qeverisjes së Hapur funksionojnë si platforma kryesore ku qytetarët kontribuojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje, duke promovuar transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen qytetare. Zbatimi i mekanizmave të konsultimit publik dhe buxhetimit me pjesëmarrje janë shembuj praktikë që tregojnë se qeverisja lokale funksionon nëpërmjet dialogut të hapur me qytetarët.
Si përfundim, ky model është një shembull praktik i demokracisë së hapur në veprim. Elbasani po ndërton një kulturë të re bashkëqeverisjeje, ku demokracia nuk mbetet vetëm ideal, por shndërrohet në praktikë të përditshme, përmes transparencës, dialogut dhe pjesëmarrjes qytetare, duke e bërë qytetin një shembull të veçantë të demokracisë vendore dhe bashkëpunimit ndërsektorial.