Scarlett Johansson ka thënë se është shtyrë të heqë referencat e Holokaustit në debutimin e saj si regjisore, në filmin “Eleanor the Great”, ku luan June Squibb si një grua e moshuar që pretendon të jetë një e mbijetuar e Holokaustit.

Duke folur për Daily Telegraph, Johansson tha se gjatë fazës së para-prodhimit të filmit, një nga mbështetësit e filmit kërcënoi të tërhiqej nëse elementët e komplotit që lidhen me Holokaustin nuk hiqeshin.

“Dua të them, nëse do të kishin thënë, ‘Do ta mbështes këtë vetëm nëse xhironi në New Jersey’, ose ‘Duhet ta përfundojmë këtë deri në pranverë’, atëherë kjo do të kishte qenë një gjë ekuptueshme. Por ata kundërshtonin atë që ishte në të vërtetë filmi”, u shpreh Johansson.

Në film, Squibb luan një vejushë hebreje në pension e cila pa dashje i bashkohet një grupi të mbijetuarish të Holokaustit dhe më pas luan përkrah mashtrimit pasi e kupton gabimin e saj.

“Filmi duhej të ishte për atë që ndodh kur dikush kapet në gënjeshtrën më të keqe të imagjinueshme, nëse jo Holokausti, atëherë çfarë mund të ishte? Ata nuk ofruan asnjë alternativë. Ishte thjesht: ‘Ky është një problem’”, tha Johansson.

Johansson tha se refuzoi të bënte ndryshimet e kërkuara dhe mbështetësi u tërhoq, që do të thotë se buxheti nuk mbulohej më. “Ishte vërtet tronditëse dhe u zhgënjeva shumë”, shtoi ajo. Megjithatë, Johansson tha se distributori Sony Pictures Classics ndërhyri në minutën e fundit dhe xhirimet vazhduan.

Në të njëjtën intervistë, Johansson përsëriti mbështetjen e saj për Woody Allen, për të cilin luajti në Match Point, Scoop dhe Vicky Cristina Barcelona midis viteve 2005 dhe 2008, duke thënë: “Mamaja ime gjithmonë më inkurajoi të isha vetvetja, të shihja se është e rëndësishme të kesh integritet dhe të mbrosh atë në të cilën beson.” Allen është përjashtuar nga pjesa më e madhe e industrisë së filmit pas akuzave nga vajza e tij Dylan Farrow se regjisori e ka sulmuar seksualisht në vitin 1992.

Allen ka qenë subjekt i hetimeve në lidhje me këto akuza, por nuk është akuzuar kurrë. Departamenti i Shërbimeve Sociale i Nju Jorkut tha në kohën e hetimit të tij “se nuk kishte prova të besueshme” për të mbështetur akuzën. Intervista vjen pas komenteve të saj në vitin 2019, kur ajo tha: “E dua Woody-n. I besoj atij dhe do të punoja me të në çdo kohë”.

Johansson komentoi gjithashtu vendimin e saj për të paditur Disney për shkelje të kontratës mbi filmin superhero Black Widow që studioja publikoi njëkohësisht në kinema dhe në platformën e transmetimit Disney+, e cila u zgjidh me një pagesë të përfolur prej 40 milionë dollarësh.

Johansson tha se do të kishte mirëpritur më shumë mbështetje për garën e saj me Disney.

“Ndërsa kaluam nga modeli i bonuseve të biletave kinematike në të kuptuarit se si kjo përkthehej në transmetim, ishte bërë thjesht gjë e mjegullt, pa udhëzime rreth saj. Pra, të qenit në gjendje të ndikojmë në këtë gjë e lëviz gjithçka në drejtimin e duhur. Por po, do të mirëprisja më shumë mbështetje”, u shpreh Johansson.

Top Channel