Antonio Conte kundër Vincenzo Italianos, Napoli kundër Bolognas, kampionia e Italisë kundër fitueses së Kupës së Italisë. Mbrëmjen e kësaj të hëne, Riad do të presë finalen e Superkupës Italiane, që do të transmetohet në Digitalb.

Është një ditë historike për skuadrën e Bolognas që për herë të parë do të luajë një sfidë të tillë, ndërkohë që Napoli do të kërkojë të fitojë  këtë trofe për herë të tretë.

Skuadra e Antonio Contes shihet si favorite në këtë finale, por mungesat e shumta mund të ndryshojnë historitë. Ndërsa në krahun tjetër Bologna pasi eliminoi Interin, ëndërron arritjen e madhe. Bologna në historinë e saj ka fituar 2 finale me ndeshje unike në 1974 dhe 2025, por duke marrë parasysh edhe sfidën playoff për titullin me Interin e Helenio Herrerës në vitet ‘60, ky numër shkon në 3.

Ndërsa Napoli duhet të thyjë një tabu të vogël, teksa ka fituar vetëm në 2 finale në 6 të luajtura në total; në 1990 me Maradonën në radhët e tij dhe në 2014 me Mazzarrin në stol. Vetë Conte ka fituar 3 nga 8 finalet e luajtur a karrierë dhe përballë tij është një trajner që është macja e zezë e tij; Vincenzo Italiano që e mundi edhe në kampionat në këtë sezon me rezultatin 2-0 duke tërbuar Conten që ndryshoi edhe modulin e tij të lojës.

Skema 3-4-3 që lindi pas humbjes me kuqeblutë do të konfirmohet edhe për këtë ndeshje pavarësisht mungesave të shumta; në fushë nuk do të jenë Meret, De Bruyne, Anguissa, Gilmour dhe Beukema, ndërsa Olivera është në dyshim. Kështu në krahun e majtë mund të luajë Spinazzola me Politanon në krahun tjetër dhe McTominay në qendër përsa i përket mesfushës. Më përpara mund të aktivizohet Elmas në krah bashkë me Neres, ndërsa në mbrojtje rishfaqet Juan Jesus që është në avantazh ndaj Buongiornos dhe pritet të jetë përkrah Di Lorenzos dhe Rrahmanit.

Ndërsa Bologna ka humbur Bernardeschin për shkak të një dëmtimi në klavikul. Megjithatë Italiano po përgatitet të hedhë në fushë Cambiaghi, përkrah Orsolinit dhe Odgaard me Castron si qendërsulmues. Moro është në pole position për të luajtur së bashku me Pobega, Holm e Miranda në krahë dhe Heggem e Lucumi në qendër. Bologna do të tentojë gjithçka dhe ndaj Napolit është e pathyeshme prej 5 ndeshjesh.

Top Channel