Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi ka njoftuar se të hënën, më 26 janar, do të nisë bllokimi i transportit të mallrave në disa pika kufitare, duke parkuar kamionët në zgjerimet pranë kufijve dhe duke ndaluar kalimin për të gjitha mjetet që transportojnë mallra
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i shoqatës, Gjorgjije Lješnjak, gjatë një konference për media, ku theksoi se udhëtarët dhe mjetet që transportojnë ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë do të qarkullojnë pa pengesa gjatë protestës.
Sipas tij, pasojat më të mëdha do të ndihen në markete dhe pikat e karburantit, pasi bllokimi përfshin edhe ushqimet dhe karburantin
“Nuk do të pengojmë qarkullimin e përditshëm të mjeteve, do të qëndrojmë në zgjerime dhe jo në magistrale. Protesta jonë do të ndihet më së shumti në markete dhe në pikat e karburantit dhe nuk do të ketë përjashtime, sepse asnjë mjet që transporton mallra nuk do të kalojë kufirin, përveç atyre që transportojnë kafshë, ilaçe dhe eksplozivë”, deklaroi Lješnjak.
Ai shpjegoi se policia nuk do të lejojë kalimin e kamionëve, por nëse do të jetë e nevojshme, edhe vetë transportuesit do t’i ndalojnë.
Lješnjak u shpreh se gjatë tre muajve të fundit transportuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, por që nga 18 janari, sipas tij, institucionet shtetërore kanë nisur presionin ndaj tyre.
“Drejtoria e Doganave ka nisur një përplasje me transportuesit. Kamionët e disa kompanive mbahen për orë të tëra në kufij, kontrollet zgjasin deri në pesë orë dhe disa doganierë thonë se kjo vjen nga lart,” tha ai.
Ai shtoi se protesta do të nisë në orën 12:00 dhe do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Protesta është miratuar nga Drejtoria e Policisë për 72 orë, por organizatorët kanë kërkuar zgjatje, pasi planifikohet për një afat të pacaktuar.
Kërkesat e transportuesve, Shoferët dhe kompanitë e transportit kërkojnë: ndryshime në nivelin e akcizës dhe kthimin e saj për litër karburanti, kthim më të shpejtë të TVSH-së, orare më të gjata pune të doganave dhe inspektorateve fitosanitare në kufij, ndryshime në sistemin ETIAS, si dhe staf pune të favorizuar për shoferët profesionistë.
Bllokimi i qarkullimit është pjesë edhe e një proteste rajonale të transportuesve nga Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, kundër kufizimit të qëndrimit dhe punës së shoferëve profesionistë në zonën Shengen në maksimum 90 ditë brenda gjashtë muajve.
Lješnjak i bëri apel kryeministrit Milojko Spajić dhe ministrit të Financave Novica Vuković që të përfshihen në zgjidhjen e problemeve, duke kërkuar ndalimin e kontrolleve të gjata dhe të panevojshme në kufij.
“Nuk na duhet ndihmë, por marrëdhënie partneriteti me shtetin. Nëse kjo praktikë vazhdon, do të kërkojmë ndihmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare,” theksoi ai.
Ai paralajmëroi se nëse kompanitë vendase shuhen, do të zëvendësohen nga kompani të huaja dyfish më të shtrenjta, çka do të rrezikonte seriozisht transportin malazez deri në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Top Channel


























