ATSH-Bledi Naska/ Kur arrijmë të 40-at, mendimi i vetëm që na vjen në mëndje është se çfarë duhet të bëjmë në mënyrë që të dukemi sa më të rinj. Celësi i kësaj përgjigje sigurisht që është vetëm tek aktiviteti fizik që ne duhet të bëjmë. Kjo nuk do të thotë aspak që si me magji ne do të ulim vitet që kemi mbi supe, por është e sigurt që aktiviteti fizik do të na bënte të ndiheshim më aktiv, energjik dhe si pasojë procesi i plakjes do të ishte më i ngadaltë.

Mjekët sugjerojnë që pas të 40-ve ne duhet të kryejmë rregullisht 4-5 herë në javë ushtrime “Kardiovaskulare” si ecja, noti, vrapi, kërcimi dhe duhet të ushtrohemi për të paktën 30 deri në 40 minuta në ditë. Këto ushtrime janë mjaftë efikase për funksionimin në mënyrë të mirë për organin më të rëndësishëm të trupit tonë sikurse është zemra, e cila bënë të mundur furnizimin me gjak të gjithë organizmit.

Sa më tepër të ushtrohemi, aq më tepër oksigjen do të futet në gjakun tonë çka do të bënte një mirëfunksionim të të gjithë organizmit. Si pasojë e kësaj gjithashtu mjekët pranojnë që jetëgjatësia tek njerëzit rritet dhe mosha nuk është më një problem pasi do të ndiheshim gjithmonë dhe më të rinj. Sipas tyre, konkluzioni është se gjithkush nga ne është përgjegjës për shëndetin e tij dhe mirëfunksionimin e të gjithë organeve të trupit.

Burrat por sidomos gratë pas moshës 45 deri në 64 janë të predispozuara të kenë zhvillimin e ankthit dhe depresionit përveç sëmundjeve të tjera, por aktiviteti fizik është përgjigja edhe në këtë rast.