Sipas ushtrisë jordaneze, operacioni i ndërhyrjes u zhvillua në mbrëmje dhe mbetjet e raketave ranë në rajonin e Azraqut, në lindje të vendit, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale. Zona ndodhet pranë kufirit me Irakun dhe strehon një bazë ushtarake ku raportohet se janë vendosur avionë luftarakë amerikanë.

Gazeta “The New York Times” raportoi se pak para fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, në këtë bazë ndodheshin dhjetëra avionë luftarakë, avionë transporti, dronë dhe helikopterë të ushtrisë amerikane.

Gjatë natës, SHBA-ja dhe Irani kryen sulme të reja ndaj njëri-tjetrit në rajonin e Gjirit, duke rritur më tej tensionet dhe duke komplikuar përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit.

Sipas Trump, sulmet e fundit amerikane ndaj Iranit erdhën si përgjigje ndaj rrëzimit nga forcat iraniane të një helikopteri ushtarak amerikan pranë brigjeve të Omanit. Nga ana tjetër, mediet iraniane raportuan se Teherani iu kundërpërgjigj duke goditur baza amerikane në rajonin e Gjirit dhe në Jordani.

Ndërkohë, Kuvajti aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan sërish në Bahrain, pasi Irani deklaroi se kishte kryer një sulm me dron ndaj selisë së Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein. /Ad.Ab./