Zef Deda, Mjeshtri i humorit shkodran ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Prej kohësh Deda vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ndërkohë, djali i tij, Julian Deda ka reaguar në rrjetet sociale, duke vendosur dhe një fiongo të zezë në shenjë zie. Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.