Eugjen Onjegin
Është kryevepra e shkrimtarit rus Aleksandër Pushkin, e botuar për herë të parë në vitin 1832. Vepra u shkrua në vjeshtën e vitit 1830, pasi një epidemi e rëndë e kolerës në Moskë, e bindi Pushkinin të largohej për disa muaj në pronat e familjes së tij jashtë qytetit.
Ditari i Samuel Pepis
Samuel Pepis (1633–1703) ishte anëtar i parlamentit anglez, si dhe një administrator civil i marinës. Gjatë jetës së tij, ai ishte i njohur për përpjekjet e tij për modernizimin e marinës britanike. Por sot Pepis, vlerësohet për ditarin që mbajti gjatë viteve 1660-1669, pasi mbetet një nga dokumentet më të mira në lidhje me restaurimin e monarkisë angleze. Në vitin 1665, Londra u godit nga murtaja bubonike. Falë kronikave të Pepis, historianët dhe shkencëtarët e kuptojnë më mirë se si u përhap aq shpejt murtaja bubonike, dhe pse shkaktoi aq shumë të vdekur në Londër.
Mali Magjik
E cilësuar si një nga veprat më të mira të letërsisë gjermane, romani i Tomas Man u botua për herë të parë në vitin 1924.
Ai ka në qendër Hans Kastorp, një tregtar të ri nga Hamburgu, që vendos të vizitojë kushëririn e tij Joakim në një sanatorium për tuberkulozin në Alpet Zvicerane. Udhëtimi i tij ndërlikohet, pasi sëmuret edhe vetë, dhe kësisoj nis të takojë pacientët e tjerë. Gati që të gjithë ata, përfaqësojnë degradimin social të Evropës së pas Luftës së Parë Botërore.
Dhe Tomas Man dinte disa gjëra mbi sanatoriumet. Gruaja e tij, Katia, vuante nga tuberkulozi dhe në vitin 1912 ajo u shtrua në një sanatorium në Davos-Platz, Zvicër. Shkrimtari e vizitonte shpesh. Në vitet në vijim, që të dy ishin pacientë të rregullt në banjave termale në të gjithë botën. Man e shndërroi përvojën personale, në skenën ku zhvillohen ngjarjet e “Malit Magjik”.
Anton Çehov
Ashtu si Pushkini para tij, edhe Çehov gjeti kohë për të shkruar, për shkak të epidemive të shpeshta të kolerës në Rusi. Midis viteve 1892-1899, Çehov shkroi disa nga tregimet e tij më të njohura, përfshirë “Pavioni nr.6” dhe “Murgu i zi”. Njëkohësisht, Çehovi pati një jetë gjysmë të izoluar në vilën e tij në Melikhovo.
Aty ai ndihmoi në lehtësimin e situatës për fshatarët vendas. Ndërkohë që shkruante, vazhdoi punën e tij të përditshme si mjek praktikant. Atij iu desh ta ndërpresë punën në vitin 1897, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Çekov vuante nga tuberkulozi, sëmundje që i mori edhe jetën në vitin 1904.
Parajsa e humbur
Anglezi Xhon Milton, u mor me shumë gjëra gjatë jetës së tij. Ai ishte pamfletist, filozof, dhe si politikan shërbeu si Sekretar i Gjuhëve të Huaja në Këshillin e Komonuelthit. Por Milton njihet sot më shumë si një shkrimtar. Ai shkroi veprën “Parajsa e Humbur”, ku flet për dëbimin e Satanait nga Parajsa, dhe luftën e tij kundër Zotit dhe njerëzimit. Ai e nisi veprën në vitin 1652. Por në vitin 1665 u transferua me familjen e tij nga Londra më Shalfont, për të shmangur Murtajën e Madhe të Londrës. Pikërisht aty e përfundoi edhe librin.
Dekameroni
E shkruar më gjasë midis viteve 1348-1353, libri flet mbi 10 aristokratë të rinj që u arratisën në një fshat, për të shmangur Vdekjen e Zezë që kishte prekur në atë kohë qytetin e Firences. Aty ata tregojnë secili nga 10 histori, ose në total 100 gjatë disa ditëve.
Ashtu si Komedia Hyjnore e Dantes, Dekameroni u shkrua në dialektin fiorentin, që u bë në fund italishtja standarde. Vetë autori Xhovani Bokaçio, jetoi në vitet e tmerrshme të Murtajës të shekullit XIV-të. Ngjashem me personazhet në veprën e tij më të famshme, Bokaçio shmangu me sukses epideminë që ra në Firence, duke shkuar në Napoli dhe qytete të tjera italiane.
Uilliam Shekspir
Shekspiri ishte një nga fëmijët e paktë në Stratford-upon-Avon, që i mbijetoi Murtajës së vitit 1564. Një nga biografët më të shquar të Shekspirit, Xhonatan Beit, shkruan se përvoja e Shekspirit me Murtajën, ishte aspekti i vetëm më përcaktues i jetë dhe veprës së tij.
Murtaja shfaqet në disa nga veprat më të mira të Shekspirit, përfshirë “Romeo dhe Xhulieta” .
Edhe më befasues është fakti, që Shekspiri ishte jashtëzakonisht prodhimtar në vitet 1605-1606, kur ai shkroi “Mbreti Lir”, “Makbeth dhe “Antoni dhe Kleopatra”. Studiuesit besojnë tani, se Shekspiri ishte aq produktiv gjatë asaj kohe, pikërisht për shkak të Murtajës së viteve 1605-1606 që goditi Anglinë.
Isak Njuton
Fizikani dhe matematikan anglez, Isak Njuton, vlerësohet si njeriu që zbuloi gravitetin, dhe që shkroi ligjet themelore të fizikës. Në vitin 1665, Njutoni ishte student në Universitetin e Kembrixhit. Atë vit, universiteti u mbyll për shkak të Murtajës së Madhe të Londrës.
Me mbylljen e shkollës, Njutoni u rikthye në shtëpinë e familjes së tij në Kembrixh, dhe nisi të kryente një seri eksperimentesh. Gjatë punës së tij në karantinë, ai shkroi ligjet e lëvizjes së sëndeve dhe ato të gravitetit. Kur Njutoni u kthye në universitet në vitin 1667, ai i ngjiti me shpejtësi shkallës e karrierës akademike, duke marrë titullin profesor në vitin 1669. burimi (lexo.al)