ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kujtuar sot në Librazhd, 76-vjetorin e Çlirimit të qytetit të Librazhdit, duke nderuar dëshmorët e brigadës së XX sulmuese.

Balla gjatë fjalës së tij u shpreh se “në këto kushte të vështira pandemie botërore gjej rastin tu shpreh ngushëllimet familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. I bëj thirrje çdo qytetari: Betejën me COVID-19 e fitojmë vetëm duke respektuar masat dhe duke u sjellë si njerëz të përgjegjshëm”.

“Librazhdi ka një numër te madh dëshmorësh që kanë dhënë jetën për Çlirimin e Atdheut. Brigada 20 ka një histori që duhet përçuar brez pas brezi. Ky 76 vjetor e gjeti Shqipërinë në një situatë të pazakonte. Sot heronjtë e Kosovës, viktima të genocidit serb po akuzohen për krime lufte”,- shtoi Balla.

“Kjo është e pakuptimtë. Të gjithë i dinë krimet serbe me të cilat u përball populli i Kosovës. Në këtë 76 vjetor të Çlirimit të Shqipërisë duhet ta themi me zë të lartë: Shqiptarët kurrë nuk kanë bërë luftë pushtuese, por kanë mbrojtur trojet e tyre. Çdo akuzë do të përfundojë me fitoren e drejtësisë, me fitoren e atyre që mbrojtën vendin e tyre dhe se lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë çlirimtare”,- theksoi Balla. /a.a/