Bashkimi Europian ka mbështetur propozimin e kryeministrit Rama për zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi.
Në një reagim të fudnit, BE deklaron se ëhstë e gatshme të ofrojë ndihmën e saj për t’i çuar më tej bisedimet, nëse kërkohet nga qeveria bjelloruse.
Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në përpjekjet për të lehtësuar një mënyrë paqësore dhe konstruktive për të dalë nga kriza. Në këtë drejtim, BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i çuar më tej nëse kërkohet. Si një shtet anëtar i OSBE-së, shpresojmë që Rusia të ketë një ndikim pozitiv në mbështetjen e propozimeve të tilla, thuhet në reagimin e BE.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, njehërazi edhe kreu i OSBE i ka kërkuar presidentit bjellorus Lukashenko të ulet në një dialog me opozitën vendase me ndërmjetësimin e OSBE, por deri më tani ky dialog është refuzuar.
Ndërkohë mbështetjen për propozimin e Ramës e ka dhënë edhe Kanadaja, pas një telefonate të ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj me honmologun e tij kanadez François-Philippe Champagne.
“Sapo zhvillova një bisedë shumë të vyer me Ministrin e Jashtëm të Kanadasë, z. François-Philippe Champagne.
Ndamë krejtësisht të njëjtin mendim se roli i OSBE-së është i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e situatës së tanishme në Bjellorusi. Shqipëria si Kryesi e radhës e OSBE-së është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj për të gjetur një rrugëzgjidhje paqësore e demokratike në Bjellorusi.
Kanadaja, ndërkaq, mbështet plotësisht ofertën e Shqipërisë dhe vlerëson lart angazhimet e Kryesisë së OSBE-së”, shkruan Cakaj.