ATSH/-Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me Bashkimin Europian për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca vizituan sot Spitalin Universitar të Traumës ku mbërriti edhe pjesa e dytë e pajisjeve, mbështetje për institucionet shëndetësore shqiptare.
Gjatë gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mjekësore të Bashkimit Europian për përballimin e epidemisë në vend, Manastirliu ka theksuar se situate epidemiologjike po monitorohet me shumë kujdes.
Sipas saj, edhe pse shifrat e të infektuarve janë në rritje, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që nuk ka kthim prapa lidhur me një rimbyllje të mundshme. Megjithatë, ministrja ka kërkuar për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat në mënyrë që të mund të kufizohet përhapja e COVID-19, ndërsa sistemi shëndetësor po përgatitet për forcimin e kapaciteteve”.
“Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri. Ne jemi duke u përgatitur për forcimin e kapaciteteve. Siç bëmë me spitalin e ri karantinë, jemi duke përfunduar përshtatjen e një strukture tjetër brenda QSUT, po fuqizojmë kapacitetet për testimet ndërsa po forcojmë kapacitetet me aparatura mjekësore për të përballuar situatën. Ndaj edhe këto 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e Urgjencës Kombëtare dhe 15 respiratorë transporti, e një seri aparaturash jetëshpëtuese do të rrisin kapacitetet e reanimacioneve në spitalet tona”,u shpreh Manastirliu.
Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca deklaroi se Bashkimi Europian do të vijojë të jetë krah Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, si ditën e parë të epidemisë.
“Këto pajisje padyshim do të ndihmojnë sistemin shëndetësor shqiptar për përballimin e situatës por dua t’i bëj një apel çdo qytetari shqiptar që të respektojë rregullat e vendosura nga autoritetet pasi kriza nuk ka mbaruar, ndaj bëni kujdes sepse vetëm bashkë mund ta përballojmë këtë situatë”, tha ambasadori Soreca.
Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në vlerën 4 milion euro, kjo është mbështetja e dytë për institucionet shëndetësore shqiptare. Në këtë paketë me vlerë 650 mijë euro janë të përfshirë 5 autoambulanca të cilat do të shërbejnë për fuqizimin e urgjencës paramjekësore në territor, 15 respiratorë transporti, 20 oksigjeneratorë, 140 maska nazale, 140 maska fytyre, 750 sete intubimi, 55 laringoskopë dhe 57 pulse oksimetra, pajisje të cilat do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve të shërbimeve të reanimacioneve në vend. Brenda pak ditëve mbërrin në vend dhe mbështetja me 100 shtretër me vlerë prej 126 mijë euro. z.tosku/ /a.g/