ATSH/- Në futboll, shpesh një moment i vetëm, mund të ndryshojë historinë e një kombi, shkruan BBC.
Për Kanadanë, një nga ato momente erdhi në Kupën e Botës, kur një gol vendimtar jo vetëm siguroi një fitore të madhe, por edhe u kthye në simbol të një historie të gjatë sakrificash familjare, që e shoqëron këtë sukses.
Stephen Eustáquio shënoi golin vendimtar, që i dha Kanadasë fitoren ndaj Afrikës së Jugut dhe e çoi për herë të parë, në fazën e 1/16 të Kupës së Botës.
Ai arriti të mbante një kontroll të mirë të topit me gjoks dhe të realizonte një goditje e saktë në cep të portës, që vendosi fatin e ndeshjes dhe historinë e Kanadasë në turne.
Për familjen Eustáquio, ky moment ishte “kulmi” i një rruge të gjatë sakrificash dhe pune të vështirë.
Prindërit e Stephen, Esmeralda dhe Armando, emigruan nga Portugalia në Kanada, në fund të viteve ’90 për një jetë më të mirë dhe punuan në kushte të vështira, për të rritur familjen e tyre.
Fëmijët, Mauro dhe Stephen Eustáquio, u rritën me futbollin që në moshë të vogël, fillimisht në Kanada dhe më pas edhe në Portugali, ku familja u kthye për të mbështetur trajnimin e tyre sportiv.
Të dy vëllezërit ndoqën karrierë futbolli profesional, duke luajtur në klube në Kanada dhe Evropë, përfshirë edhe Porto, një nga klubet më të mëdha portugeze.
Edhe pse kishte mundësinë të përfaqësonte Portugalinë, Stephen Eustáquio zgjodhi Kanadanë në vitin 2019, duke theksuar lidhjen dhe mirënjohjen për vendin, që i kishte dhënë familjes së tij, mundësinë për një jetë më të mirë.
Historia e tij është e ngjashme me shumë lojtarë të tjerë të kombëtares kanadeze, e cila përbëhet nga futbollistë me origjinë të ndryshme nga e gjithë bota, përfshirë edhe emigrantë dhe refugjatë.
Trajneri i Kanadasë tha pas ndeshjes se ishte një moment shumë i veçantë për lojtarin dhe se ndjeu sikur prindërit e tij, të ndarë nga jeta vitet e fundit, po e shihnin nga lart këtë arritje historike.
Ky gol, jo vetëm që mbajti gjallë ëndrrën e Kanadasë në turne, por u kthye edhe në një simbol të historisë së emigrimit, sakrificës dhe suksesit përmes sportit. //a.i/



























