ATSH/- Neymar është rikthyer në kombëtaren e Brazilit pas gati tre vitesh mungesë. Edhe pse nuk është më, ylli kryesor i ekipit, rikthimi i tij ka sjellë shumë emocion te tifozët dhe vëmendje të madhe në turne, shkruan BBC.

“Neymar nuk ka nevojë për motivim shtesë. Të gjithë e duan këtu”, tha trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, në një konferencë për shtyp në Miami.

Dhe shumë shpejt u pa që kishte të drejtë. Vetëm disa orë më herët, në zonën e Miami Gardens, tifozët reaguan me shumë entuziazëm ndaj çdo përmendjeje të Neymar.

Ai u prit si një nga idhujt më të mëdhenj të futbollit brazilian.

Kanë kaluar pothuajse tre vite, që kur Neymar luajti për herë të fundit me kombëtaren e Brazilit. Tani ai është rikthyer, por nuk është më lojtari kryesor i ekipit.

Gjatë kësaj kohe ai ka pasur shumë dëmtime serioze. Një dëmtim i rëndë në gju në tetor të vitit 2023, gjatë një ndeshjeje kualifikuese, e la për një kohë të gjatë jashtë fushës dhe e pengoi të rikthehej në formë.

Tani 34 vjeç, ai është rikthyer në skenën ndërkombëtare, në një moment kur Brazili po kërkon sërish forcën e dikurshme.

Në ndeshjen e zhvilluar në Miami, Brazili fitoi bindshëm 3–0 ndaj Skocisë.

Ndërkohë, stadiumi shpërthente në brohoritje, sa herë që Neymar shfaqej në ekran ose hynte në lojë.

Në pjesën e parë, Vinicius Jr shënoi dy gola, ndërsa Matheus Cunha shënoi edhe një tjetër për Brazilin.

Kur Neymar hyri në fushë në vend të Cunha-s, tifozët reaguan me entuziazëm të madh, edhe pse ndeshja tashmë ishte vendosur.

Trajneri Ancelotti tha pas ndeshjes se, Neymar e meritonte të luante dhe se ishte stërvitur mirë për t’u rikthyer.

“Neymar nuk ka nevojë për motivim. Të gjithë e duan këtu. Ai ka ende të njëjtin pasion si kur ishte fëmijë”, tha Ancelotti.

Ai shtoi se edhe pse luajti pak minuta, Neymar tregoi cilësitë e tij.

Në total, ai luajti rreth 20 minuta dhe preku topin 24 herë. Ai gjithashtu kishte një goditje në portë.

Në fund të ndeshjes, ekrani i stadiumit u fokusua sërish tek ai, ndërsa ai përshëndeti tifozët dhe takoi vajzën e tij në tribunë.

Edhe pse Brazili tashmë kishte fituar, rikthimi i Neymar ishte momenti, që mori më shumë vëmendje.

Brazili është pesë herë kampion bote, por nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002. Gjithashtu, titulli i fundit i madh, ishte Kupa e Amerikës në vitin 2019.

Nën drejtimin e Ancelottit, ekipi ka pasur rezultate të paqëndrueshme dhe nuk ka arritur fitore ndaj disa skuadrave të mëdha si Argjentina, Franca apo Maroku.

Megjithatë, ndaj Skocisë, Brazili tregoi forcë dhe dominim, ndërsa tifozët u larguan të kënaqur nga stadiumi. //a.i/