ATSH-AFP/ – Përgatitjet e Anglisë për Kupën e Botës u ndërprenë nga grabitja e pajisjeve para mbërritjes së ekipit në qendrën e stërvitjes në Kansas Siti, raportuan mediat britanike.
Sipas BBC-së, topat dhe këpucët ishin ndër sendet e vjedhura nga automjetet që u thyen gjatë transportimit të pajisjeve në qendrën e stërvitjes së ekipit, Swope Soccer Village.
Shoqata Angleze e Futbollit i konfirmoi Shoqatës Britanike të Shtypit se kishte ndodhur një incident, por nuk ishte në gjendje të jepte detaje të mëtejshme.
“Ne po hetojmë një vjedhje të mundshme të pajisjeve nga një automjet i ekipit që mbërriti në Kansas Siti këtë mbrëmje me sende të zhdukura”, tha Departamenti i Policisë së Kansas Siti në Missouri për ‘’Daily Mail’’.
Sipas BBC-së, dy persona janë arrestuar në lidhje me incidentin.
Ekipi i Anglisë i Thomas Tuchel është planifikuar të stërvitet për herë të parë në Swope Soccer Village sot në orën 17:00 (22:00 GMT) pasi u largua nga kampi i tyre i stërvitjes në Florida.
Ata do ta fillojnë fushatën e tyre në Kupën e Botës kundër Kroacisë të mërkurën, përpara se të përballen me Ganën dhe Panamanë në Grupin L./ /os/



























