ATSH – I. Vata/ – Zëvendëskryeministri Erion Braçe apeloi qytetarët që të mbajnë maskën në ambiente të mbyllura, me shumë njerëz e pa distancë të mjaftueshme sociale.

Braçe publikoi një foto të një mjeku që e ka vendosur maskën në mënyrë të gabuar, dhe në thirrjen e tij për qytetarët, u thotë që ta vendosin maskën siç duhet.

“Jo maska nuk mbahet siç e mban ky doktor, nuk ka asnjë vlere po e mbajte kështu. Je i ekspozuar, mund të infektohesh. Pa asnjë diskutim që maska është jetike tani për gjithkënd, në çdo moshë, në ambiente të mbyllura, me shumë njerëz e pa distanca. Por jo kështu! duhet mbuluar hunda e goja, ndryshe nuk ka asnjë vlerë. Mjekët janë ata që e dinë fare mire këtë, ata duhet te edukojnë çdokënd. I jam shumë mirënjohës çdo mjeku e infermieri, epidemiologu, farmacisti, sanitari që po lufton çdo ditë për jetën. Është një mirënjohje sa personale po aq edhe shoqërore, kombëtare. E shpreh cilido, kudo që ndodhet, kudo ku ka nevoje e merr shërbim nga njerëz në shërbimin publik, në rrezik por të përkushtuar dhe duke sakrifikuar”, tha ai.

“Shqipëria ka nevoje për ta tani; As për politikanët që bëjnë si mjekë e as për mjekët që bëjnë politikë e asgjë tjetër;  si duhen kujt! Kam një javë që të njëjtët politikane që bëjnë si mjeke dhe, po te njëjtët mjeke që bëjnë si politikanë, televizive e pa asnjë punë tjetër, ne ndonjë qendër shëndetësore, poliklinike, spital apo në terren duke gjurmuar infeksionin rast pas rasti jo, siç mijëra kolege, t’i dëgjoj të thonë tërësisht të kundërtën e asaj që kishin thënë më parë. Më parë tamam këta, thanë se numrat e vegjël në karatinë ishin të rremë, se virusi ishte shfaqur që në dhjetor e se të vdekurit e numëruar ishin shumë me tepër nga ajo periudhe. Pastaj vlerësuan masat e marra gjatë karantinës. Por tani me ngulm thonë po në televizion, kurrë përmes një pune konkrete se bëmë gabim që u mbyllem aq herët e aq fort. E dini pse? Për nevoja politike nga fillimi në fund! Njerëzve as që iu duhet politika tani, nëse ju nevojitet, kjo ju vlen për vendime të qarta,  të kthjellëta, konkrete për të përballuar sëmundjen më të rëndë që ka pasur ky vend, Europa e bota! Ndaj mjaft me politikën boshe; Ose shërbim konkret për njerëzit, ose llafet nuk bëhen kurrë shërbim e kurrë punë për njerëzit”, përfundoi Braçe. /j.p/