ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u deklaroi sot se “buxheti 2021 është nga më ambiciozët në objektivin për të ringritur ekonominë”.

E ftuar në një studio televizive, Denaj tha se “rritja ekonomike e parashikuar 5.5 % është me kushtin që ne të jemi duke përballuar pandeminë në situatën aktuale, jo në situatë emergjence”.

“Ne jemi duke përballuar situatën e dëmit nga tërmeti dhe atë që vjen nga pandemia. Tërmeti ka një kosto të konsiderueshme dhe mbështetja që qeveria shqiptare ka dhënë me Akte Normative në 2020 do të vijojë edhe në 2021. E gjithë kjo para do të injektohet në ekonomi, do të kërkojë jo vetëm fuqi punëtore duke mundësuar rindërtimin por do të rrisë dhe konsumin”, tha ajo.

Denaj tha se “kemi punë në infrastrukturë dhe fondet nuk janë të pakta për punë publike, të cilat do të sjellin konsum të shtuar që ne mendojmë se do të kontribuojë në këtë rritje ekonomike”.

“Kemi dy alternativa: Ose të tkurremi dhe të mos krijojmë mundësi për të rritur punësimin, ose të rrisim punësimin përmes injektimit të likuiditetit, e cila është qasja jonë. Po ashtu ky buxhet është mbajtje premtimi, pasi po flasim për një fond të rëndësishëm të rindërtimit, gati 34 miliard lekë dhe vitin tjetër 280 milionë dollarë. Kjo mundëson që në masën më të madhe të rindërtohen banesat dhe shkollat dhe mbahet premtimi për të kthyer banorët në banesat e tyre”, tha Denaj.

Po ashtu, ajo tha se “në buxhetin 2021 na bën krenarë edhe rritja e pagave për të gjithë mjekët, infermierët e arsimtarët”.

Ndërkohë Denaj tha se ulja e taksave për biznesin e vogël në kuadër të rimëkëmbjes është për të mundësuar vetëpunësimin dhe për t’ia dalë edhe në këto kushte pandemie.

Nga ana tjetër, Denaj theksoi se mirëadministrimi fiskal në bizneset më të predispozuara pët informalitet do të ngushtojë skemat e evazionit.

Lidhur me shpenzimet në buxhet, Denaj tha se “për shpenzimet korente kemi bërë shumë shkurtime të atyre shpenzimeve që nuk janë të nevojshme”.

“Ne ecim me një skenar që nuk ka emergjencën. Nuk e  kemi ende një skenar emergjence, por nëse do të ndodh do të tkurrim shpenzimet, do të fillonim edhe nga kontratat koncesionare, dhe do të fillonim me disa projekte që nuk kanë nisur dhe do të ndërprisnim kontratat. Në raport me shëndetësinë dhe menaxhimin e situatës kemi 6 miliard lekë. Këtu kemi parashikuar edhe blerjen e vaksinës antiCOVID dhe kemi fond rezervë nëse do të na duhet për çështjet e emergjencave”, tha ajo.

Denaj tha se “nëse do të ketë emergjencë do të alokojmë më shumë fonde, mund t’ia marrin PPP-ve, por nuk e kemi sot këtë skenar”.

“Nuk e kemi përllogaritur sepse nuk do të donim ta mendonim mbyllje ekonomike, jo tani po edhe në qershor. Ndaj është e nevojshme të ritheksohet nevoja pse duhet të kemi kujdes. Por nëse kjo ndodh do të jetë shumë e vështirë për bizneset. Ne do të ulim shpenzimet, do të pengojmë disa punë publike, do negociojmë PPP, po biznesi, po familja? Konsumi familjar do dëmtohet më shumë. Do të jetë fatale për t’u ringritur pas një rimbyllje të dytë”, tha Denaj.

Ajo theksoi se “në momentin që hapëm ekonominë, në 18 maj, ne nuk folëm më për paketa ndihmëse, por kemi instrumenta të tjerë që brenda këtij viti i kemi bërë fakt, si programet për nxitjen e punësimit”.

Duke folur për buxhetin e rindërtimit, Denaj tha se “është punuar shumë mirë në raport me procedurat dhe disbursimet e këtyre fondeve do të ndodhin në periudhën nëntor-dhjetor”.

“Të mos harrojmë që ky është një fond i transferueshëm, nuk digjet në fund të vitit. Fondet e donatorëve në masën totale 300 milionë euro janë koordinuar dhe janë vetë donatorët që kanë përzgjedhur cila është infrastruktura që do mbulojnë. Ndërsa huatë marrin kohë për t’u negociuar. Marrin 1 vit apo 1 vit e gjysmë kohë ndaj ne nuk mund të prisnim sa të negocioheshin të gjitha huatë për të filluar me rindërtimin”, tha Denaj. /j.p/newsbomb