Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi sot se, Tirana dhe Prishtina shkojnë drejt bashkimit të ambasadave dhe konsullatave.
Në një intervistë për JavaNews ai komentoi procesin e shkrirjes graduale të përfaqësive diplomatike mes Shqipërisë e Kosovës.
Ai u ndal gjithashtu në angazhimin e Tiranës, për të ndalur fenomenin e tërheqjes së njohjeve nga shtetet e treta, sa i përket Republikës së Kosovës.
I pyetur se çfarë është bërë këto vite për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Cakaj tha se, “kontributi i drejtpërdrejtë i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet vështruar në mënyrë realiste dhe brenda kufizimeve objektive. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne nuk kemi dhënë vetëm fjalë boshe për konsum të brendshëm politik, por realisht kemi pasur një përpjekje sistematike për të rritur ndjeshmërinë ndërkombëtare për situatën e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo është e dukshme prej shprehjes së vazhdueshme të shqetësimeve tona, te partnerët ndërkombëtar deri tek konferencat e përbashkëta për publikun që kemi organizuar me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës. Për më tepër, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, kemi demantuar politikën e zvogëlimit të numrit të shqiptarëve nëpërmjet pasivizimit të adresave kryesisht në Komunën e Medvegjës por jo vetëm, mosnjohjen e diplomave (pas)universitare të Republikës së Kosovës që realisht kufizon angazhimin e një numri të konsiderueshëm profesionistësh atje, mohimin e të drejtës për përdorim të hapur të simboleve kombëtare, si dhe nënpërfaqësimin në institucionet shtetërore krahasuar me peshën e tyre politike e të tjera”.
Atsh