Kristina Fidhi, me mbështetjen e AZHBR-së ka ngritur në Gjirokastër, sipërmarrjen e saj, sa të bukur dhe të veçantë nën logon “Caravan Horse Riding Albania”.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, ka sjellë shembullin e saj, si një histori që frymëzon dhe nxit iniciativa për angazhime të reja biznesi.

“Kristina me dashurinë e madhe për Gjirokastrën, fshatin shqiptar dhe pasionin siç nuk e kam parë askund për kuajt më ftoi të sodis pak nga sipërmarrja dhe atmosfera që ka ngritur që ne fakt i kalon përmasat e asaj që video mund të kapë por zemra jo”- shprehet Krifca.

Kristina tregon se, kalërimi ka qënë një pasion i hershëm i saj dhe që fëmijë kujton që ka qenë e mahnitur prej kuajve.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën e AZHBR-së, ajo thotë se po punon për ngritjen e pistës së kalërimit dhe organizimin e tureve me kuaj.

“Pista do të shërbejë gjithashtu edhe si një vend, ku do t’i jepet mundësia gjithkujt për të mësuar kalërimin në çdo kohë të vitit. Ndërsa janë mb 300 të huaj çdo vit, që frekuentojnë për më shumë se një javë qëndrimi në “Caravan Horse Riding Albania”- thotë Kristina.

Ajo tregon se janë 12 bujtina apo shtëpi pritëse, të angazhuara që bashkëpunojnë me “Caravan Horse Riding Albania”, për akomodimin e vizitorëve apo turistëve të huaj, që frekuentojnë dhe ndjekin kalërimin.

“Ndërsa po zgjerojmë turet e kalërimit duke eksploruar zona dhe vende të ndryshme, me shëtitje me kuaj, që po rrisin interesin e vizitorëve për na  vendas dhe të huaj”, shprehet Kristina.

“Njerëzit vijnë për të zbuluar kalin shqiptar dhe për ta njohur Shqipërinë nga një këndvështrim tjetër, me një shëtitje me kalë”- tha Kristina, teksa shtoi se zgjerimi i interesit për ta njohur vendin tonë, traditën, kulturën, kulinarinë, e bën këtë një përpjekje drejt turizmit të qendrueshëm që gjeneron të ardhura edhe për shumë familje të zonës.