ATSH/ Një nënë e re nga Tirana solli në jetë dje trinjakë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, të cilët përfitojnë edhe bonusin e bebes prej 3,6 milionë lekë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shprehet se “një gëzim i madh për familjen dhe për stafin mjekësor që i ka shërbyer me përkushtim të porsalindurve në terapinë intensive dhe tashmë gëzojnë shëndet”.
“Familja e re nga Tirana ka përfituar edhe bonusin e bebes prej 3,6 milionë lekë për trinjakët”, tha Manastirliu.
Bonusi i bebes, politika e re sociale e Qeverisë mbështet rreth 30 mijë familje në vit. Ndihma e menjëhershme financiare u jepet familjeve në masën dyzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, tetëdhjetë mijë lekë për lindjen e fëmijës së dytë, njëqind e njëzet mijë lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim.
Në rastet e nënave që lindin binjakë apo trinjakë: në rastin e parë masa e përfitimit është tetëdhjetë mijë lekë për secilin fëmijë dhe për rastin e dytë njëqind e njëzet mijë lekë për secilin fëmijë./k.s/j.p/