ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se po punohet që në zgjedhjet e 6 marsit të aplikohet sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve, si dhe synohet që të aplikohet sistemi i votimit elektronik në zgjedhjet e bashkisë Vorë.
Në një konferencë për shtyp për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Celibashi dha detaje teknike për KZAZ-të, qendrat e votimit dhe numrin e zgjedhësve në 6 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhje.
“Për bashkinë e Dibrës ka një KZAZ në të cilën zhvillohen zgjedhjet. Në 2021 kanë qenë 56 mijë e 642 zgjedhës të regjistruar. Janë 101 QV në të cilat do të votohet në bashkinë Dibër më 6 mars. Në bashkinë Shkodër janë 4 KZAZ, të cilat do të administrojnë procesin zgjedhor në këtë bashki. Në zgjedhjet e 2021 kanë qenë 166.983 zgjedhës në listën e zgjedhësve, janë 250 QV”, tha ai.
“Në Vorë është një KZAZ, janë 44 QV në të cilat do të votohet. Në 2021 kanë qenë 30.053 zgjedhës”, tha Celibashi.
“Në bashkinë e Rrogozhinës ka një KZAZ, 53 QV, kanë qenë 31.996 zgjedhës më listën e zgjedhësve më 25 prill. Në bashkinë Lushnjë kemi 2 KZAZ, 157 Qendra Votimi, në të cilat do të votohet. Kanë qenë të regjistruar 104.249 zgjedhës në zgjedhjet e 2021. Në Durrës kemi 4 KZAZ, janë 335 QV në të cilat do të votohet. Zgjedhës të regjistruar në 2021 kanë qenë 258.633. Në total janë 13 KZAZ, 940 QV në të cilat do të votohet më 6 mars”, u shpreh ai.
Sa i përket kostos së zgjedhjeve, Celibashi tha se sipas një vlerësimi paraprak ajo shkon në rreth 180 milionë lekë.
“Po punojmë që dhe për këto zgjedhje të aplikohet sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve. Në konsultim me partitë do vendosim në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në bashkinë e Vorës”, tha ai.
“Qëllimi ynë si KQZ është që ta aplikojmë sistemin e votimit elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë. Por do ta konsultojmë me partitë politike, por nuk shoh ndonjë pengesë për ta bërë”, tha ai.
“Sot, apo maksimumi nesër para dreke, do të kalojmë aktet me përcaktimin e afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore”, u shpreh kreu i KQZ.
/j.p/r.e/