ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime, është objektiv i mandatit të tretë.

“Kush ka shkuar në Gjermani, kush ka shkuar në Itali, kush ka shkuar në Francë, në Angli e kudo qoftë, ka gjetur gati atë për të cilën breza e breza kanë punuar, me dekada e me shekuj e nuk mund të pretendoj që këtu të bëhen gati për 7 vjet e kusur ato që nuk u bënë as për 100 vjet apo për 50 vjet, apo për 25 vjet dhe jo vetëm nuk u bënë për 25 vjet, por u shkatërruan”, tha Rama gjatë prezantimit të programit: Rruga drejt 25 prillit – Shërbimet për qytetarët dhe biznesin.

Sipas Ramës, synojmë që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat.

“75 shërbime të kadastrës shqiptare sot merren nga e-albania. Ndërkohë që të tjera regjistrime dixhitale janë në proces në gjithë atë lesh e li. E pra çfarë duam të bëjmë në mandatin e tretë? Ne duam që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat. Por kjo, do kohën e vet sepse çdo pronë duhet nxjerrë nga ato hartat e tmerrshme, ku prona të binte ndonjëherë në vrimë sepse paloseshin aq shumë hartat saqë ka ndodhur që në gjykatë, gjykatësi ka thënë e ke pronën në vrimë, sepse ishte tek cepi që kishte humbur prona. E kështu, realiteti i ri që ka filluar të krijohet në kadastër duhet konsoliduar për të gjithë territorin e Shqipërisë. Kush do t’i bëjë këto? Kush? Nuk është e vështirë për ta gjetur”, u shpreh kryeministri.